Xhudistja e Kosovës, Laura Fazliu synon medalje në debutim në Lojërat Olimpike. Laura do të paraqitet për herë të parë në Lojërat Olimpike që nisin të premten në Paris dhe përfundojnë më 11 gusht.
Ajo në Paris merr pjesë me normë të fituar. Është njëra prej pesë xhudistëve që paraqitet me normë olimpike në Paris. Krahas Laurës me normë të fituar janë edhe dy të artat olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi si dhe Akil Gjakova e Loriana Kuka.
“Kjo do të thotë shumë, pasi kam arritur ta fitoj normën olimpike. Jo gjithkush mund ta fitoj normën olimpike. Të fitosh normën olimpike është shumë e madhe dhe po ndihem shumë e lumtur, shumë mirë. Shpresoj që edhe në gara të kem sukses”, ka thënë Fazliu për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Ajo insiston se synimi i saj është medalja.
“Synimi është medalja, pasi për atë edhe jam përgatitur, kam ushtruar. Kam sakrifikuar shumë dhe shpresoj ta realizoj edhe atë qëllim”, është shprehur Fazliu.
Laura do të paraqitet në kategorinë deri 63 kilogramë.