(Bild) - Tani vërtet është fundi i karrierës!
Fundi i karrierës për sportistin e jashtëzakonshëm francez Nikola Karabatiq, legjenda e gjallë e hendbollit, më i miri i gjitha kohërave.
“Po tani ka mbaruar. Për më shumë se 20 vjet, qëkur isha 12-vjeçar, kam qenë pothuajse profesionist. Por po, tani ka mbaruar”, thotë Karabatiq për “BILD” i pyetur pas eliminimit të Francës në çerekfinale nga Gjermania. Për katër vjet ai dha spektakël në Bundesligën e Gjermanisë.
“Mbreti Karabatiq”, i cili shtyu fundin e karrierës së tij jashtëzakonisht të suksesshme për ta përmbushur ëndrrën e tij për të fituar medaljen e artë në shtëpi në vitin 2024, dha dorëheqje.
Burri i Geraldine dhe babai i dy fëmijëve, Alekut 8-vjeçar dhe Norës 5-vjeçare, i cili ka marrë pjesë në 26 nga 27 turnetë madhorë që nga debutimi i tij në Kupën e Botës në Portugali në vitin 2003, thotë se “po i jep fund jetës së tij të parë”.
Zhgënjimi për të mos fituar një medalje në Francë është i madh.
“Nuk kisha menduar kurrë se do ta humbim këtë ndeshje. Me një dramë në fund, nuk mund të ishte kështu, por Gjermania fitoi”, thotë Karabatiq. “Gjermania luajti vërtet mirë dhe luftoi shumë. Ishte një lojë e madhe hendbolli. Jam i trishtuar sepse nuk dolëm në gjysmëfinale dhe nuk do ta mbylli karrierën me medalje. Por në të njëjtën kohë jam i lumtur sepse më në fund kam mbyllur karrierën. Tani që më në fund nuk kam më stërvitje, mund të kënaqem dhe të shikoj përpara në atë që kam arritur me ekipet e mia. Jam i trishtuar, por në të njëjtën kohë edhe pak i lumtur”.
Lista e sukseseve të tij mbush shumë libra. Nikola Karabatiq ka fituar gjithçka me klubet më të mira (Montpellier, Kiel, Barcelona, Paris) dhe ekipin kombëtar të Francës, për të cilën luajti 366 ndeshje. Ndër të tjera fitoi Ligën e Kampionëve e po ashtu edhe tre medalje të arta në Lojërat Olimpike të vitit 2008, 2012 dhe 2020.
Pas “Le Grande Finale” para 30 mijë shikuesve në Lille, Karabatiq u emocionua.
“Kur këndova Marseillaise, kisha shumë emocione. Kjo është e pabesueshme. Kjo është arsyeja pse jam i trishtuar që nuk ia dolëm. Por kështu është. Ishte e mrekullueshme të isha në fushë dhe të përjetoja këto emocione”, ka thënë legjenda e hendbollit.
Dhe kjo kundër Gjermanisë. Vendi në të cilin ai fitoi gjithçka me Kielin dhe ktheu sallën në një kështjellë.
Pavarësisht dëshpërimit për humbjen e medaljes së artë, Karabatiq po ashtu largohet nga dyshemeja me sy të ndritur. Lojtarët Olimpike mbahen në vendin e tij.
“U argëtova shumë edhe pse humbëm. Për mua ishte e pabesueshme. Ishte diçka shumë e madhe. Të luaj në nivelin më të lartë sot në moshën 40-vjeçare. I gjithë sezoni ka qenë i pabesueshëm. Dhe me përfundim të karrierës në Lojërat Olimpike në shtëpi. Kjo ishte ëndrra ime. Kjo është arsyeja pse nuk mund të jem edhe aq shumë i mërzitur”.
Ai do të vazhdojë ta ndjekë hendbollin, por ka diçka që tani për tani nuk i shkon në mendje.
“Të bëhem menjëherë trajner apo menaxher. Tani do ta shijoj lirinë”, ka thënë Karabatiq.