Paris 2024

Kuptimi i “AIN” në Lojërat e Parisit

AIN

Një numër i vogël i sportistëve nga Rusia dhe Bjellorusia do të garojnë me një logo të re në Lojërat Olimpike të Parisit. Komitetet Olimpike të dy vendeve e kanë të ndaluar paraqitjen në Lojërat Olimpike që nisin të premten.

Në Olimpiadë, sportistët rusë dhe bjellorusë do të garojnë me logon “AIN”.  Është shkurtesë nga gjuha frënge për sportistët individualë neutralë. Një flamur me ngjyrë kafeje është projektuar për ceremonitë solemne, nëse atletët AIN fitojnë medalje.

IOC-ja ka ofruar po ashtu himn të pavarur, pa tekst, që do të intonohet nëse rusët apo bjellorusët fitojnë medalje ari.

Sportistët AIN nuk do të jenë në ceremoninë hapëse të Lojërave të Parisit.

Ndër më të njohurit që garojnë për AIN është tenisti rus Daniil Medvedev, fitues i US Open në vitin 2021. Është edhe kampioni në fuqi në trampolinë, bjellorusi Ivan Litvinovich.

Ky është edicioni i katërt radhazi i Lojërave Olimpike që sportistët nga Rusia nuk lejohen të garojnë me flamurin e tyre. Ndalimi i mëhershëm për shkelje të rregullave të dopingut, ka përfunduar.

Rusia nuk lejohet në Paris 2024 për shkak të pushtimit të Ukrainës. Bjellorusia është e dënuar si aleate e Rusisë. Asnjë zyrtar shtetëror nga Rusia dhe Bjellorusia nuk janë ftuar në Paris. Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar bëri lëshime sa u takon sportistëve nga dy vendet, duke mundësuar paraqitjen e tyre me kushte të veçanta. Vendimi final për sportistët e pavarur u takon federatave përkatëse ndërkombëtare. Disa sporte, si atletika, kanë vendosur për ndalim të plotë për rusët dhe bjellorusët.

Plot 335 rusë ishin në Tokio, ndërsa në Paris do të jenë vetëm 16. Nga Bjellorusia janë 17 gjithsej. Disa sportistë nga këto dy vende kanë refuzuar të garojnë të pavarur.

Edhe kjo formë e përfaqësimit është kundërshtuar nga Ukraina.