Qetë e ngadalë u largua nga tatami. Të qetë e kishte edhe paraqitjen. Jo edhe karrierën. Karriera e saj ishte dhe është e bujshme. Plot suksese kulmore e të arritura historike.
Xhudistja Nora Gjakova të hënën nuk ishte në momentin më të mirë të saj. Ishte larg prej tij. Ndonëse kampione olimpike, Nora u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Përballë Norës në tatamin numër 1 në “Champ de Mars Arena” në Paris ishte mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo. Kishte më shumë taktizime se luftë të vërtetë në këtë duel.
Në kohën e rregullt prej katër minutash nuk kishte fituese. Dueli shkoi në kohën shtesë, ndërsa 5.17 minuta pasi nisi lufta, Nora mori dënimin e tretë. Kjo nënkuptonte fitore për mongolen.
Nuk kishte ndonjë reagim të madh nga Nora pasi gjyqtari në arenë ia dha dënimin e tretë. Ishte vendim që u pranua, ndonëse i jepte fund ëndrrës së saj për medalje olimpike në Paris.
Para se të dalë në arenë, Nora priti më gjatë se zakonisht në vendin ku rreshtohen xhudistët. Ishte pritje interesante e me shumë mundësi edhe emocionale për 31-vjeçaren. Afër e kishte vëllain e saj, Akil Gjakova. Prapa e kishte Majlinda Kelmendin, që e udhëhoqi të hënën nga këndi i trajneres. Prapa Akilit ishte kryemjeshtri Driton Kuka. Pra, një katërshe që ka shkruar dhe shkruan histori për shtetin e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi.
I pari në tatami doli Akili. Kryemjeshtri Kuka u ul në karrigen e këndit të tij.
Në gjysmë të luftës së Akilit, Nora u ftua për të dalë në tatamin tjetër. Derisa Akili fitoi, Nora kishte telashe për të shfaqur diçka nga koleksioni i jashtëzakonshëm i saj. Mongolja ishte e papërshtatshme dhe avancoi tutje.
Në paraqitjen e Norës ka ndikuar lëndimi muskulor që e mbajti jashtë garave nga 16 shkurti deri më 21 qershor. Në fakt pas lëndimit ishte shumë e dyshimtë paraqitja e saj në Olimpiadën e Parisit. Por, Nora shtrëngoi dhëmbët, iu përmbajt maksimalisht këshillave të mjekëve, ishte e disiplinuar dhe u rikuperua. U rikuperua me kohë për të garuar në Paris, por gara e saj nuk zgjati shumë.
Ajo për herë të tretë ka garuar në Lojëra Olimpike. Në Rio 2016 po ashtu ishte e lënduar dhe u ndal në luftën e dytë. Në Tokio 2020, edicion olimpik i shtyrë për vitin 2021 për shkak të pandemisë, Nora preku kulmin sportiv. E fitoi medaljen e artë olimpike, më të vlefshmen në sport.
E gjithë Kosova u krenua me suksesin e Norës. Ishte shembull se si ëndrrat realizohen me punë të madhe, përkushtim, seriozitet dhe punë sistematike.
Suksese të mëdha kishte para “Tokio 2020”, por edhe pas Olimpiadës në vendin e origjinës së xhudos.
Ka medalje të bronztë botërore, medalje të artë, të argjendtë dhe plot pesë të bronzta evropiane. Ka edhe shumë e shumë medalje në garat Masters, Grand Slam e Grand Prix.
Kështu që Nora mund të largohet krenare dhe me kokën lart nga Parisi, ndonëse u ndal që në luftën e parë.