Dita e premte në Lojërat Olimpike të Parisit për sportisten e badmintonit, Huang Ya Qiong, solli medalje ari dhe diamant.
Dyshja kineze, Huang dhe bashkëlojtari i saj, Zheng Siwei, mposhtën jugkoreanët Kim Won-ho dhe Jeong Na-eun me rezultatin 21:8 dhe 21:11, në çifte të përziera.
Ata mbetën të pamposhtur në Paris.
Me medaljen e artë në qafë, ajo i tha “po” propozimit për martesë nga Li Yuchen, që është një tjetër anëtar i ekipit të badmintonit të Kinës.
“Për mua, propozimi ishte shumë befasues sepse unë kam qenë e përgatitur për ndeshje”, ka thënë Huang nëpërmjet një përkthyesi. “Sot jam kampione olimpike dhe mora propozim për martesë. Ishte diçka që nuk e prisja”, ka thënë ajo.