Italiani Gianmarco Tamberi, i cili do të garojë në Olimpiadën e Parisit në kërcim së larti, i ka kërkuar falje gruas së tij pasi e humbi unazën e martesës gjatë ceremonisë së hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike në Paris.
32-vjeçari Tamberi që është kampion bote, ishte duke e valëvitur flamurin e Italisë teksa barka i bartte sportistët në lumin Sena gjatë parakalimit në ceremoninë hapëse.
Unaza i doli rastësisht nga gishti.
“Më fal dashuri, më vjen shumë keq”, ka shkruar ai në Instagram në postimin dedikuar gruas së tij, Chiara Bontempi Tamberi.
Sportisti ia ka vënë fajin “humbjes së shumë kilogramëve” dhe “entuziazmit të papërmbajtshëm” për këtë fatkeqësi.
“Nëse do të duhej të ndodhte, nëse do të duhej që ta humbja këtë unazë, nuk do të imagjinoja një vend më të mirë”, ka shkruar ai, duke theksuar se unaza tani “do të mbetet përherë në shtratin e lumit në qytetin e dashurisë”.
Ai nisi të bëhej edhe romantik, dhe e ka dhënë si propozim që edhe unaza e Chiaras të hidhet në lum po ashtu.
“Më pas, ato do të ishin së bashku përgjithmonë dhe ne do të kishim edhe një tjetër arsye për t’u betuar dhe martuar sërish”, ka thënë ai.
“Vetëm ti do të mund ta kthesh këtë situatë në diçka romantike”, ka shkruar Chiara nën kërkimfaljen e burrit të saj.
Gianmarco dhe Chiara janë martuar në shtator të vitit 2022.
Tamberi ishte duke e valëvitur flamurin e Italisë bashkë me tre herë medalisten olimpike Arianna Errigo, kur i ra unaza fillimisht në barkë, e më pas u zhduk në lum.
Tamberi në “Tokio 2020” kishte qenë në faqet kryesore të mediumeve kur bashkë me Mutaz Essa Barshimin, e kishin ndarë medaljen e artë në kërcim së larti. Të dy vendosën që të mos kërcenin më lartë se 2.37 metra.
Ai po ashtu mori vëmendjen në një ngjarje sportive të vitit 2011, kur e kishte rruar vetëm gjysmën e mjekrës.