Paris 2024

Hafez garoi në Lojërat Olimpike ndërsa ishte 7 muajsh shtatzënë

Nada Hafez

Nada Hafez

Pasi përfundoi udhëtimin e saj mbresëlënës por të shkurtër në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris, egjiptiania Nada Hafez bëri një postim në Instagram. Në postim ajo zbuloi se ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Hafëz mundi Elizabeth Tartakovskyn e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raundin e parë të garës individuale të skermës përpara se të eliminohej nga Jeon Ha-Young e Koresë së Jugut.

“Dukej që në gara janë dy lojtare, por në fakt ishin tri. Isha unë, konkurrentja ime dhe foshnja ime! “Unë dhe foshnja ime patëm pjesën tonë të sfidave, qofshin ato fizike dhe emocionale. Shtatzënia është e vështirë, por të luftosh për të mbajtur ekuilibrin e jetës dhe sportit ishte rraskapitëse, por ia vlejti absolutisht”, ka shkruar ajo në Instagram.

26-vjeçarja është plot krenari që ka arritur ta kalojë një garuese.

“Ishte paraqitja ime e tretë në Lojërat Olimpike, por këtë herë kisha një olimpiste të vogël brenda meje”.

Skerma shihet si një sport elegant, por kërkon përgatitje të madhe fizike. Skerma kombinon shpejtësinë, shkathtësinë dhe strategjinë.

Sporti kërkon stërvitje fizike rigoroze, fokus dhe të menduarit shpejt. Për më tepër, sportistet kanë më pak trajnerë në krahasim me sportistët.

Por pavarësisht këtyre pengesave, sportistet bëjnë hapa të rëndësishëm.

Historia e Hafezit bëri jehonë në rrjetet sociale.

“Çfarë historie për t’u treguar fëmijëve tuaj”, shkruan një përdorues i rrjeteve sociale.

Një tjetër koment vlerëson se Hafez është shembull i mirë për sportistët që ndjekin ëndrrën.

“Balancimi midis shtatzënisë dhe ndjekjes së pasionit tuaj nuk është kurrë e lehtë. Kështu që ju mund të jeni krenare me veten, pavarësisht rezultatit. Ju jeni duke vendosur një shembull të mirë për kampionët e vegjël”.

Përveç shumë lëvdatave dhe admirimeve, Hafezit iu desh të duronte edhe kritikat. Ajo e mbrojti pjesëmarrjen e saj në Olimpiadë me një tjetër postim.

“Nuk jam e vetmja sportiste që kam marrë pjesë gjatë shtatzënisë. Ka shumë sportiste të tjera ndërkombëtare që kanë qenë aktive gjatë shtatzënisë. Nuk ka ndalim mjekësor”.

Megjithatë historia e saj do të shërbejë si frymëzim për sportistet që kanë rrugëtim të ngjashëm.

Përveç Olimpiadës së Parisit, Hafez ka marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2021” dhe “Rio 2016”.