Pas Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”, një tjetër ngjarje e madhe nis të premten. Janë Lojërat Olimpike në Paris, që do të hapen me festë spektakolare. Mijëra oficerë sigurie janë në detyrë, metrotë janë mbyllur dhe lumi Sena do të shndërrohet arenë e parakalimit të sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike. Pjesë e Olimpiadës “Paris 2024”, me nëntë sportistë është edhe Kosova.
Miliarda njerëz në gjithë botën do ta shikojnë në televizion dhe një turmë e madhe njerëzish do ta përjetojë nga afër hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike në Paris të premten.
Shfaqja spektakolare do të nisë në orën 19:30. Do të jetë ngjarje shumë e madhe, shumë më e mirë dhe e “çmendur”. Për herën e parë në histori të olimpiadave, parakalimi i sportistëve nuk do të ndodhë në stadium. Do të ndodhë përgjatë lumit Sena, që rrjedh nëpër zemrën e kryeqytetit të Francës.
Rreth 100 barka do të lundrojnë për gjashtë kilometra, në lumin ku do të zhvillohen edhe garat e notit në ujëra të hapura dhe pjesa e garës së notit në triatlon. Këto barka do t’i transportojnë 8 mijë sportistë, që do të përshëndeten nga rreth 326 mijë tifozë, përfshirë edhe 120 drejtues të shteteve e qeverive. 45 mijë zyrtarë policorë do të kujdesen për sigurinë, pasi ekziston frika për ndonjë sulm terrorist.
“Paris 2024 vendos standarde të reja në garat sportive duke sjellë sportin në qytet. Kjo vlen edhe për ceremoninë e hapjes, e cila do të zhvillohet në zemër të qytetit përgjatë lumit Sena”, thuhet në faqen zyrtare të organizatorëve.
Greqia tradicionalisht i prin paradës së sportistëve. Barka e dytë do të jetë me ekipin e refugjatëve, që përbëhet nga shtete të ndryshme. Aty përfshihet edhe Dominic Lobalu i Sudanit të Jugut. 25-vjeçari e fitoi medaljen e artë në 10 mijë metra vrapim dhe të bronztën në 5 mijë metra për Zvicrën në Kampionatin Evropian në Romë, në muajin qershor, shkruan gazeta zvicerane “Blick” të enjten.
Fatkeqësisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtar refuzoi të lejojë Lobalun të konkurrojë për Zvicrën në Lojërat Olimpike. Ai ndoshta mund të natyralizohet vetëm në vitin 2031, sipas ligjit zviceran. Ai thotë se është po aq i lumtur sa një fëmijë i vogël që mund të marrë ende pjesë në Lojërat Olimpike.
“Unë e di se nga vij – dhe ku bëj pjesë. Në Paris do të kandidoj edhe me Zvicrën në zemër”.
Pjesa tjetër e barkave do të shfaqet në lumin Sena me renditje alfabetike. Kosova do të jetë e 99-ta.
Australia do të parakalojë e 203-ta si organizatore e Lojërave Olimpike 2032, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në pozitën e parafundit.
Franca si nikoqire do të jetë e fundit në parakalim, e 205-ta.
Për shkak të luftës në Ukrainë, IOC-ja e ka përjashtuar Rusinë dhe Bjellorusinë nga Olimpiada.
Disa sportistë të përzgjedhur nga këto shtete janë lejuar të marrin pjesë në turne me flamur neutral.
Snoop Dogg, Celine Dion e Lady Gaga janë prej yjeve që do të jenë të pranishëm po ashtu në këtë ngjarje.
Ndërkohë tre mijë valltarë, këngëtarë dhe argëtues do të performojnë në ceremoninë hapëse.
Lojërat Olimpike nisin zyrtarisht të premten, ndërsa do të përfundojnë më 11 gusht.
Kosova do të përfaqësohet me nëntë garues, prej tyre gjashtë me normë olimpike e tri të tjerë me ftesë të universalitetit.
Normat në xhudo i kanë fituar Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Të tjera medalje priten nga ta. Donjeta Sadiku e përfaqëson Kosovën me normë në sportin e boksit. Me ftesa janë Gresa Bakraqi në atletikë dhe Adell Shaboviq e Hana Beiqi në not.