Atleti suedez, Armand Duplantis ka vazhduar me paraqitje mahnitëse në kërcimin me purtekë.
Të hënën mbrëma në Lojërat Olimpike në Paris, 24-vjeçari fitoi medaljen e artë. Më pas e përmirësoi rekordin e botës që e mbante vet.
Me kërcim prej 6 metrave, Duplantis siguroi medaljen e artë. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të. Ai vazhdoi garën me vetveten, duke ngritur pengesën në 6.25 metra. Dhe në tentimin e fundit e kaloi këtë lartësi për rekord të ri botëror.
Është hera e nëntë që Duplantis e përmirëson rekordin e botës. Së fundi rekord kishte vendosur më 1 prill. Rekordi i kaluar ishte 6.24 metra.
“Mondo, Mondo” ka shpërthyer në thirrje tifozëria, derisa atleti i jashtëzakonshëm po kërkonte rekordin botëror. Dhe atë e arriti.
Sam Kendricks i SHBA-së fitoi të argjendtën me kërcim prej 5.95 metra. Të bronztën e fitoi Emmanouil Karalis me 5.90 metra.