Paris 2024

Akil Gjakova synon tjetër medalje në Paris, tani në Lojërat Olimpike

Akil Gjakova

Gara më prestigjioze e xhudos, Grand Slami i Parisit ishte rrëfim tjetër suksesi për Kosovën.

Në garën e mbajtur në fillim të këtij viti, Kosova e udhëhequr nga kryemjeshtri i sportit luftarak, Driton Kuka, zuri vendin e pestë në plasmanin e përgjithshëm në mesin e plot 107 shteteve pjesëmarrëse. Pozita e pestë u arrit falë medaljeve të fituara, e arta nga Distria Krasniqi dhe e bronzta nga Akil Gjakova. Motra e Akilit, kampionia olimpike në Tokio, Nora Gjakova zuri vendin e pestë, kurse Dardan Cena të shtatin. Pra, Parisi nuk është qytet i panjohur për xhudistët e Kosovës.

Ekipi i xhudos pas pesë muajsh kthehet sërish në kryeqendrën franceze me qëllimin e madh – medaljen olimpike. Këtë synim e ka edhe Akili, i cili në Lojërat Olimpike të mbajtura në vitin 2021 në Tokio, përfundoi i shtati. Në Paris synon medalje.

Ai thotë se ka përmirësuar performancën gjatë përgatitjeve për “Paris 2024”.

“Kemi përmirësuar shumë gjëra kësaj radhe dhe synimi kryesor është medalja dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Gjakova për fazën zyrtare të Komiteti Olimpik të Kosovës.

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike mbahet të premten, ndërsa ajo përmbyllëse më 11 gusht.

Në ceremoninë hapëse, Nora dhe vëllai i saj, Akil Gjakova do ta kenë nderin për ta bartur flamurin e Kosovës.

Kosova ka udhëtuar me gjashtë norma olimpike drejt Parisit. Krahas Akilit me normë në Paris marrin pjesë edhe Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Në Paris me normë ka udhëtuar edhe boksierja Donjeta Sadiku. Ndërkohë me ftesë do të marrin pjesë notarët Adell Shaboviq e Hana Beiqi si dhe atletja Gresa Bakrraçi.

“Ëndrra e çdo sportisti fillimisht është kualifikimi me normë në Lojërat Olimpike. Për mua do të thotë shumë, sidomos që është hera e dytë pas një karriere të gjatë dhe shumë të bujshme. Është kënaqësi e veçantë dhe privilegj ta përfaqësoj shtetin e Kosovës dhe t’i tregojmë botës se kush jemi ne”, ka theksuar Gjakova. Akil Gjakova krahas medaljes së fituar më 2 shkurt në Paris, ka fituar edhe shumë medalje të rëndësishme në garat e xhudos. Vlerësohet potencial për medalje.

Akili në tatami në kategorinë deri 73 kilogramë paraqitet të hënën. Edhe motra e tij Nora, kampionia olimpike në vitin 2021 në Tokio. Ajo garon të hënën në kategorinë deri 57 kilogramë. Një ditë para Norës e Akilit garon e arta e Kosovës, Distria Krasniqi. Disi garon në kategorinë deri 52 kilogramë. Më 30 korrik garon Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë, kurse garat xhudo i mbyll më 1 gusht. Në tatami e fundit paraqitet Loriana Kuka e kategorisë deri 68 kilogramë. Boksierja Donjeta Sadiku është e para që do të paraqitet në gara nga ekipi i Kosovës. Ajo ngjitet në ring të shtunën. Garon në kategorinë deri 60 kilogramë. Gresa Bakraqi garon në 800 metra vrapim më 2 gusht, kurse një ditë më vonë Hana Beiqi në 50 metra stil i lirë në not. Notari tjetër Adell Shaboviq në 100 metra stil i lirë paraqitet të martën.

Për Kosovën është paraqitja e tretë në Lojërat Olimpike. Në dy edicionet e kaluara, Kosova u kthye me medalje falë Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit. Majlinda e fitoi të artën në Rio në vitin 2016. Në Paris ajo ka rolin e trajneres.