Xhudisti i Kosovës, Akil Gjakova ka bërë një postim të gjatë të mërkurën, dy ditë pasi zuri vendin e pestë në kategorinë deri 73 kilogramë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Si kurrë më parë, Gjakova ishte shumë pranë podiumit olimpik. Por ai thotë se fati sportiv ia mori nga duart medaljen. “Megjithatë, nuk ma mori ëndrrën që unë një ditë ta kem edhe këtë medalje, e cila është synimi im jetësor”, ka shkruar Gjakova, i cili me sportin e xhudos nisi në vitin 2002.
Ai ka folur në superlativë për kryemjeshtrin Driton Kuka.
“Që atëherë e deri sot, unë kam bërë çdo gjë nga vetja të arrij këtu. Natyrisht kam pasur fatin ta kem trajnerin më të mirë në botë në krahun tim. Atij, familjes time, qytetit tim dhe Kosovës ia dedikoj të gjitha të arriturat e mia”, është shprehur Gjakova.
28-vjeçari nga Peja ka fituar shumë medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta në ngjarje të mëdha të xhudos. Ka numëruar disa nga më të rëndësishmet, duke veçuar edhe vendin e shtatë të arritur në Lojërat Olimpike që u organizuan në Tokio në vitin 2021.
“Kam shënuar suksese të cilat janë të prekshme për sportin e Kosovës”, është shprehur ai.
Ai shkruan po ashtu edhe për sakrificën dhe gjithçka që ka dhënë dhe i ka dhënë sporti i xhudos.
“Këto janë sukseset e mia të cilat nuk mi ka falur askush, por janë arritur në saje të një sakrifice të cilën e di veç unë, trajneri im dhe familja ime”.
Gjakova thotë se nuk do të heq dorë nga ëndrra për ta fituar medaljen olimpike.
“Një gjë jam shumë i sigurt. Do të punoj edhe tri herë më shumë që në kampionatin e ardhshëm të botës dhe në olimpiadën e ardhshme të jem më i fortë në të gjitha aspektet. E di që në sport përvoja dhe eksperienca e kanë fjalën kryesore në garat si këto në olimpiadë, por e di se deri atëherë unë do t’i kem të dyja. Tokion dhe Parisin, do t’i përdori mjeshtërisht në mendjen dhe punën time për ta trazuar suksesin për të cilin jam sakrifikuar gjithë këto 22 vjet pa ndalu asnjëherë. Jam shumë i bindur se me ndihmën e Zotit, do ta bëj një gjë të tillë. Unë besoj se sakrifica ime, herët a vonë do të shpërblehet.
Do ta plotësoj absolutisht çdo gjë që varet nga ana ime për t’u shpërblyer. Deri atëherë na pret punë e madhe”, ka thënë Gjakova.
Gjakova në Paris u paraqit me normë olimpike, ashtu si edhe katër xhudistet tjera, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Kjo e fundit në tatami do të paraqitet të enjten. Motra e Akilit, Nora u ndal në luftën e parë, kurse Distria fitoi të argjendtën, derisa Laura të bronztën. Pra, Kosova falë ekipit të Driton Kukës ka pesë medalje të fituara nga paraqitjet e Kosovës në Lojërat Olimpike.