Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ka thënë se bota ia ka lakminë Kosovës me sukseset e arritura në sportin e xhudos. Ai foli për KOHËN pas medaljes së argjendtë të fituar nga xhudistja pejane, Distria Krasniqi.
Distria u ngjit në podium të dielën pas medaljes së argjendtë të fituar në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris.
“Duke pasur parasysh dhe duke ditur faktin që pesë garues janë me normë olimpike, natyrisht që pritjet janë për medalje. Për Distrinë nuk ka qenë e lehtë, pasi ka kaluar nga kategoria deri në 48 kilogramë në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe të shkosh në finale dhe të arrish këtë sukses, me të vërtetë është një mrekulli e veçantë”, ka thënë Kuka për KOHËN.
Ai ka thënë se sakrifica e madhe po u shpërblehet xhudistëve të udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka.
“Pas gjithë kësaj, të gjithë e dimë që qëndron një punë e madhe dhe sakrificë. Vetëm kështu arrihet suksesi dhe i përgëzoj për punën që janë duke e bërë vazhdimisht. Kjo është olimpiada e tretë dhe po bëhet kohë e gjatë sidomos për Tonin që ka mbajtur një ritëm të tillë. Uroj që kjo sakrificë të vazhdojë dhe të kemi sportistë të tjerë të nivelit të Distrisë. Sot na bëri të gjithëve krenarë me arritjen e tij”, është shprehur ai.
Të hënën në tatami do të paraqiten dy xhudistët e radhës nga ekipi olimpik i Kosovës, Nora dhe Akil Gjakova.
Presidenti Kuka pret medalje nga Nora dhe Akili, por edhe nga dy xhudistët e tjera, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Pesë xhudistët e siguruan me normë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Paris.
“Me vetë faktin që të gjithë janë me normë olimpike, pres nga të gjithë së paku paraqitje të mirë dhe pse jo edhe medalje të tjera”, ka theksuar ai.
Ai ka folur edhe për respektin që ka fituar Kosova falë sukseseve të xhudos.
“Respekti po shkon duke u rritur për Kosovën. Fillimisht e dimë të gjithë që kemi pasur një garuese, pastaj dy dhe tash ekipi po rritet edhe më shumë. Pesë garuesit tanë kanë medalje evropiane dhe botërore. Përveç respektit, jo vetëm që na kanë lakmi, kanë filluar edhe të na xhelozojnë”, ka thënë Kuka.
Krahas xhudistëve në ekipin e Kosovës janë edhe boksierja Donjeta Sadiku, dy notarët Adell Shaboviq e Hana Beiqi si dhe atletja Gresa Bakraçi.