Paris 2024

IOC-ja e trishtuar për “agresionin” ndaj dy boksiereve që po bëjnë bujë

Imane Khelif

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka mbrojtur vendimin e tij për të lejuar dy boksieret që të garojnë në Lojërat e Parisit, përkundër diskutimeve për gjininë e tyre. Sipas IOC-së, dy boksieret po përballen me “agresion” për shkak të një vendimi arbitrar.

Algjeriania Imane Khelif e fitoi meçin e parë në kategorinë uelter ndaj italianes Angela Carini për 46 sekonda. Lin Yu-ting e Tajvanit është boksierja tjetër e përfolur, që mori lejen e IOC-së për të garuar në Olimpiadë.

Fitorja bindëse e Khelifit ndaj italianes, që vendosi të tërhiqet pas disa goditjeve nga algjeriania, ka bërë që të ketë më shumë presion ndaj IOC-së për lejimin e tyre që të garojnë në Paris.

Të dy boksieret ishin diskualifikuar në Botërorin 2023 të boksit, pasi dështuan të përmbushin rregullat e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit. IBA ndalon boksieret me kromozome XY të burrave që të garojnë në konkurrencë të grave. 

IOC-ja vjet tërhoqi njohjen për IBA-n për çështje të qeverisjes dhe financave. IOC-ja tani menaxhon garat e boksit në Lojërat Olimpike të Parisit.

IOC-ja thotë se vendimi i IBA-s për t’i diskualifikuar boksieret vitin e kaluar ishte arbitrar dhe shkaku kryesor për zemërimin që bëri që njerëz si autorja britanike J.K. Rowling dhe miliarderi Elon Musk të shprehin kundërshtimin e tyre që dy boksieret të paraqiten në Lojëra.

“Këto dy sportiste ishin viktima të një vendimi të papritur dhe arbitrar nga IBA”, tha IOC-ja në një deklaratë.

“Në fund të Botërorit 2023 ato u diskualifikuan pa një proces të rregullt. Sipas procesverbaleve të IBA-s, që janë në dispozicion në faqen e saj zyrtare, ky vendim fillimisht është marrë vetëm nga sekretari i përgjithshëm i IBA-s dhe shefi ekzekutiv”.

Disa sporte e kanë të kufizuar nivelin e testosteronit të lejuar për garueset. Disa të tjera ndalojnë të gjithë që kanë kaluar pubertetin mashkullor.

Dallimet e çrregullimeve seksuale janë një grup kushtesh të rralla që përfshijnë gjenet, hormonet dhe organet riprodhuese. Disa janë të rritura si gra, por kanë kromozome seksuale XY dhe nivel të testosteronit në gjak në rangun e burrave. 

Sipas IOC-së, rregullat e “pranueshmërisë” bazohen në ato të Lojërave të Tokios 2020 dhe nuk mund të ndryshohen gjatë garës.

“Agresioni aktual ndaj këtyre dy sportisteve bazohet tërësisht në këtë vendim arbitrar. Vendimi u mor pa asnjë procedurë të duhur, veçanërisht duke pasur parasysh që këto sportiste kishin garuar në garat e nivelit më të lartë për shumë vjet”, thotë IOC.

“IOC-ja është e pikëlluar për abuzimin që aktualisht po u bëhet dy boksiereve. Çdo person ka të drejtë të merret me sport pa diskriminim”.

Ndërkohë IBA-ja, që është në konflikt të hapur me IOC-në, ka dënuar “mospërputhjet në përshtatshmëri” në Lojërat e Parisit. 

Boksi rrezikon të mbetet jashtë programit olimpik për “LA 2028”, për shkak të përplasjeve të IBA-s me IOC-në.

“Imane Khelif dhe Lin Yu-ting pas testimit nuk plotësuan kriteret e kërkuara për përshtatshmërinë për të garuar në kategoritë e boksiereve në ngjarjet tona. Natyra urgjente e vendimit për t’i diskualifikuar boksieret ishte e justifikuar pasi siguria e boksierëve tanë është prioriteti ynë”, ka thënë IBA.

Rasti i dy boksiereve aktualisht është tema kryesore e Lojërave Olimpike. Reagimet në rrjetet sociale janë të shumta.