(E përditësuar 11:02) - Loriana Kuka është ndalur në luftën e dytë në Lojërat Olimpike në Paris.
Në xhiron e dytë të kategorisë deri 78 kilogramë, Loriana pësoi nga ukrainasja Yelyzaveta Lytvynenko. Luftën e vendosi një uazari i Lytvynenkos.
Në fakt Loriana nisi mirë dhe iu afrua pikës pas një aksioni në dysheme. Megjithatë ukrainasja nxori dorën që po e mbërthente xhudistja kosovare.
Më pas lufta ishte e barabartë, ndërsa në mes të saj Lytvynenko realizoi hedhje për uazari. Loriana tentoi deri në fund të reagojë, por pa sukses.
Për shkak të lëndimit të gjurit, ajo nuk e kishte forcën e zakonshme. Dhe kjo e bëri të veten.
(E përditësuar 10:19) - Loriana Kuka do të përballet me ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko në xhiron e dytë të kategorisë deri 78 kilogramë.
Lytvynenko në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa Loriana e mposhti me Ippon të bukur sllovenen Metka Lobnik.
Lytvynenko është bartëse e tetë. Loriana nuk është në mesin e bartëseve.
Katër përballjet e deritashme me ukrainasen, Loriana i ka humbur.
(E përditësuar 10:09) - Loriana Kuka e ka nisur në mënyrë impresive paraqitjen në Lojërat e Parisit.
Në kategorinë deri 78 kilogramë, Loriana e mposhti sllovenen Metka Lobnik.
Ndaj saj fitoi me Ippon shumë të bukur.
VIDEO:
Sot garon Loriana Kuka
(08:30) - Loriana Kuka do t’i japë fund paraqitjes së Kosovës në garat e xhudos në Lojërat Olimpike në Paris.
Loriana garon të enjten në kategorinë deri në 78 kilogramë. Në kuadër të xhiros së parë do të përballet me sllovenen Metka Lobnik.
Loriana nuk është në mesin e bartëseve në kategorinë e saj. Në muajt e fundit forma e saj nuk ishte ajo që shpresohej. Në këtë ka ndikuar edhe një lëndim që e mundon për një kohë.
Nëse shfaq më të mirën, Loriana mund të përfshihet në garë për medalje.
Kosova tashmë i ka dy medalje në xhudo në Paris. Distria Krasniqi e ka fituar të argjendtën, ndërsa Laura Fazliu të bronztën.