(E përditësuar 18:12) - Kosova tashmë i ka pesë medalje olimpike. Po, po, pesë. Dhe atë në vetëm tri edicione të Lojërave Olimpike, ngjarjes sportive dukshëm më të madhe globale.
Sporti?
As që diskutohet.
Xhudoja.
Medaljen numër pesë për vendin e siguroi Laura Fazliu. Ajo e fitoi të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Të martën Laura garoi në “Champ de Mars Arena” në Paris. Në praninë e mbi 8000 shikuesve nisi ngadalë, por përfundoi me medalje olimpike. Është suksesi dukshëm më i madh në karrierën e deritashme të 23-vjeçares.
Për medalje të bronztë, Laura e mposhti kroaten Katarina Krishto.
Laura ishte bartëse e tretë dhe kështu në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti me shumë mund kinezen Jing Tang. Ndaj saj lufta u vendos me dënime. Në kohën shtesë kinezja e mori dënimin e tretë dhe fitorja me Ippon i takoi Laurës.
Në çerekfinale, Laura e kishte përballë legjendën e xhudos, francezen Clarisse Agbegnenou. Ndaj saj kishte dy fitore nga e kaluara, por shumë më herët është ditur se do të jetë luftë e vështirë. Clarisse ishte kampione olimpike dhe është kampione e gjashtëfishtë e botës. Është prej emrave më të mëdhenj të xhudos në histori.
Laura nisi me një aksion të mirë. Por i mungoi kujdesi dhe Clarisse realizoi hedhje për Ippon pas vetëm 34 sekondave.
Humbja ishte shok, por jo i pakalueshëm.
Në luftën e parë të repesazhit, Laura ishte shumë e sigurt ndaj kanadezes Catherinë Beauchemin-Pinard. Kishte iniciativën, por edhe kanadezja, bartësja e dytë, shfaqi nivel të lartë. Lufta shkoi në kohën shtesë. 26 sekonda pasi nisi koha shtesë, Laura realizoi hedhje për uazari.
Medalja e Laurës është e dyta për Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Të dielën medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë. Të hënën Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë.
Laurës në Olimpiadë në këndin e trajneres i ka qëndruar Majlinda Kelmendi, tashmë pjesë e rëndësishme e shtabit teknik të kryemjeshtrit Driton Kuka.
Majlinda e ka fituar medaljen e parë olimpike për Kosovën – të artën në Rio 2016. Në Tokio 2020, medalje të arta kanë fituar Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Tashmë në koleksion janë medaljet olimpike me të tri ngjyrat.
Dhe kështu konfirmohet e rikonfirmohet ajo që dihej – ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka i takon nivelit më të lartë botëror.
Andreja Leshki e Sllovenisë fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 63 kg. Ajo e mposhti në finale meksikanen Prisca Awiti Alcaraz.
(E përditësuar, 17:18) - Laura Fazliu do të përballet me kroaten Katarina Kristo në luftë për medalje të bronztë olimpike.
Me Krishton, Laura e kishte humbur luftën e parë në vitin 2018.
Atë vit e kishte mposhtur një herë, ndërsa e ka mposhtur edhe në Botërorin 2024.
Fiton Laura, medalja olimpike shumë pranë
(E përditësuar 16:55) - Laura Fazliu është vetëm një fitore larg medaljes më të vlefshme në sport, medaljes olimpike.
Në luftën e parë të repesazhit, Laura e mposhti kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard.
Fillon blloku final, Laura përballet me kanadezen Beauchemin-Pinard
(E përditësuar 16:05) - Prej orës 16:00 ka nisur blloku final në garën e xhudos në Lojëra Olimpike.
Sot në program janë kategoritë deri 81 kilogramë te xhudistët dhe 63 kilogramë te xhudistet.
Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, paraqitet në repesazh. Ajo fillimisht do ta ketë përballë kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard.
Me të, Laura ka bilanc prej dy fitore e dy humbje. E kishte mposhtur në vitin 2022 e së fundi më 21 maj të këtij viti në luftë për medalje të bronztë botërore. Ndërkohë vjet i kishte dy humbje.
Beauchemin-Pinard është bartëse e dytë, kurse Laura bartëse e tretë.
Ndalet Laura, kërkon të bronztën në repesazh
(E përditësuar 13:50) - Laura Fazliu është ndalur në çerekfinale të Lojërave Olimpike.
Laura u mposht nga legjenda e xhudos, francezja Clarisse Augbegnenou. Laura e kishte aksionin e parë, por Clarisse u përgjigj menjëherë dhe realizoi hedhje për Ippon pas vetëm 34 sekondave.
Lufta ishte e vlefshme për çerekfinale.
Tani Laura vazhdon në repesazh. I duhen dy fitore për medalje të bronztë.
(Përditësuar 12:53) - Bilanci i hatashëm i Laurës ndaj legjendës së xhudos
Laura Fazliu e Clarisse Agbegnenou janë përballur dy herë tashmë. Fillimisht më 17 shkurt të vitit të kaluar, në ditën e Pavarësisë, Laura e mposhti legjendën franceze në Grand Slamin e Tel Avivit.
Ndërkohë më 4 nëntor të vitit të kaluar, Laura fitoi ndaj Clarisses edhe në çerekfinale të Evropianit në Montpellier.
Agbegnenou është legjendë e xhudos. Është kampione olimpike, medaliste e argjendtë olimpike, kampione e gjashtëfishë botërore dhe e pesëfishtë e Evropës.
Ka edhe plot e plot medalje të tjera.
(Përditësuar 12:49) - Duel titanesh: Laura – Clarisse
Ashtu si pritej, Laura Fazliu e Clarisse Agbegnenou do të përballen në çerekfinale të kategorisë deri 63 kilogramë.
Legjenda botërore, Clarise Agbegnenou në xhiron e dytë e mposhti me shumë mund brazilianen Ketleyn Quadros. Ndaj saj fitoi me hedhje të bukur në kohën shtesë.
Përkrahja për Clarissen në Champ de Mars Arena është e jashtëzakonshme.
Shpresohet që Laura t'i qetësojë francezët e zhurmshëm.
(Përditësuar 12:39) - Fillim i mbarë i Laurës
Laura Fazliu e ka nisur mbarë paraqitjen në kategorinë deri 63 kilogramë në Lojëra Olimpike.
Në kuadër të xhiros së dytë, Laura e mposhti kinezen Jung Tang. Ndaj saj fitoi me dënime.
Tani e pret kundërshtaren e çerekfinales.
(Përditësuar 11:35) - Fitore e vështirë e Agbegnenous
Francezja Clarisse Agbegnenou ka pasur përkrahje të zhurmshme në luftën e parë në kategorinsë deri 63 kg në xhudo. Por ka arritur fitore të vështirë ndaj izraelites Gili Sharir.
Ndaj saj fitoi me uazari në kohën shtesë. Lufta zgjati gati 7 minuta.
Agbegnenou po e mbron titullin olimpik dhe pritet të jetë kundërshtare e Laura Fazliut, nëse xhudistja kosovare e kalon pengesën e parë.
Laura synon podiumin në debutimin olimpik
Bartëse e tretë, në ngritje të vazhdueshme dhe e papërshtatshme për secilën kundërshtare.
Xhudistja Laura Fazliu të martën debuton në Lojëra Olimpike. Dhe në debutim synon vendin në podiumin. Pra synon medalje olimpike.
Në ditën e katërt të garave të xhudos në Parisi 2024, Laura paraqitet në kategorinë deri 63 kilogramë. Garat do të zhvillohen në arenën Champ de Mars në Paris. Arena pritet të jetë përplot me shikues dhe në një periudhë gjatë ditësh shumica prej 8000 shikuesve pritet të jenë kundër Laurës, vajzës që ka sakrifikuar shumë për karrierë në xhudo dhe të cilës mundi i jashtëzakonshëm po i shpaguhet.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, Laura në çerekfinale do të përballet me legjendën e xhudos franceze, Clarisse Agbegnenou.
Si bartëse e tretë, Laura është e lirë në xhiron e parë. Në xhiron e dytë e pret fituesen e duelit mes Jing Tang të Kinës dhe Kiyomi Watanabe të Filipineve. Në rast të fitores, që ka gjasa të mëdha të ndodhë, Laura do të përballet me Agbegnenoun. Natyrisht, nëse ikona franceze kalon fillimisht izraeliten Gili Sharir e më pas fituesen e duelit mes Cristina Cabana Perez të Spanjës dhe Ketleyn Quadros të Brazilit.
Agbegnenou do të ketë përkrahje shumë të madhe të tifozëve në palestër. Por ekipi i Kosovës në xhudo është përgatitur për këtë. Dhe Laura pritet të jetë gati.
Me Agbegnenoun, Laura i ka dy luftëra. I ka fituar të dyja.Të dy fitoret i arriti vjet, fillimisht në Grand Slamin e Tel Avivit e më pas në Kampionatin Evropian në Montpellier të Francës.
Joanne Van Lieshout e Holandës është bartëse e parë në kategori. Kanadezja Catherine Beauchemin-Pinard është e dyta. Agbegnenou është bartëse e gjashtë. 31-vjeçarja është kampione olimpike në fuqi. Para të artës në Tokio kishte një të argjendtë në Rio në vitin 2016.
Ka edhe gjashtë tituj të botës, dy medalje të argjendta botërore e një të bronztë. Ka edhe shumë e shumë medalje në garat e tjera të mëdha. Është prej emrave më të mëdhenj të xhudos botërore.
Por shumë e rëndësishme në kategorinë deri 63 kilogramë tashmë është edhe Laura. 23-vjeçarja ka medalje të bronztë nga Botërori i këtij viti. Ka medalje të argjendtë e të bronztë evropiane. E ka fituar Mastersin. Ka edhe medalje në garat Grand Slam dhe Grand Prix.
Dhe ka nivelin për të fituar medalje olimpike, që do të ishte e dyta për Kosovën në Paris.
Të dielën të argjendtë fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë. Të hënën Akil Gjakovës i “rrëshqiti” medalja nga dora. Humbi në gjysmëfinale e më pas në luftë për medalje të bronztë në kategorinë deri 73 kilogramë.
Tani është radha e Laurës, me shpresë se ajo do ta fitojë medaljen e pestë olimpike për Kosovën.