Paris 2024

E argjendtëëëëëëëëë

Distria Krasniqi

Distria Krasniqi ka shkruar kapitull të rëndësishëm në histori të sportit të Kosovës. Ajo të dielën fitoi medalje të argjendtë olimpike.

Për herë të dytë xhudistja kosovare ka bërë vend në podiumin më të vlefshëm në sport, podiumin olimpik.

Medaljen e argjendtë, Distria e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë, në Paris.

Tri vjet më parë në Tokio  ishte e artë në kategorinë deri 48 kilogramë. Pra tani i ka dy medalje olimpike, që janë më të rëndësishmet në sport.

Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria u mposht nga bartësja e parë, uzbekja Diyora Keldiyorova. Prej saj ka humbur për herë të dytë. Tjetër humbje kishte vjet.

Distria ishte bartësja e dytë, ndërsa deri në finale kishte rrugëtim mahnitës.

Në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën fitoi lehtë e shpejtë ndaj Maryam Maharanit të Indonezisë. Ishte punë sekondash. 39 saktësisht. Ishte fitore me Ippon të bukur.

1:06 minuta zgjati lufta çerekfinale me izraeliten Gefen Primo. Pra ajo rezistoi pak më gjatë. Por preku tatamin me shpinë dhe Distria vazhdoi tutje.

Kampionia në fuqi botërore, italiania Odette Giuffrida,  ishte kundërshtare e Distrisë në gjysmëfinale. Xhudistja pejane nisi sigurt. E shtyu shpejt italianen e papërshtatshme drejt dy dënimeve. Më pas lufta ishte shumë taktike. Nuk kishte hedhje, por kishte përpjekje të vazhdueshme nga Distria. Lufta shkoi në kohën shtesë. Aty Distria u rrezikua seriozisht për herë të parë.  Por shmangu rënien dhe lufta vazhdoi edhe pak. Pas 6:10 minuta luftë, gjyqtarja dha dënime për të dy xhudistet, për shmangie të luftës. Për Distrinë ishte i pari. Për Giuffridan i treti. Dhe kjo nënkuptonte fitore tjetër me Ippon për Distria Krasniqin.

Finalja dhe e gjithë gara është zhvilluar në atmosferë madhështore në “Champ de Mars Arena”, në zemër të Parisit, fare pranë Kullës së Eiffelit. Mbi 8000 shikues ishin gjatë gjithë ditës në këtë arenë të përkohshme. Arena do të çmontohet  në fund të vitit. Vepra e Distria Krasniqit do të jetë e përhershme.

 

(Përditësuar 17:20) - Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit është kundërshtare e Distria Krasniqit në finale të Lojërave Olimpike.

Keldiyorova në gjysmëfinale e eliminoi francezen Amandine Buchard.

Keldiyorova e ka fituar përballjen e vetme me Distrinë, në finale të Grand Slamit në Tbilisi, vitin e kaluar.

Keldiyorova është bartëse e parë, ndërsa Distria bartëse e dytë e kategorisë deri 52 kilogramë.

Po, po, KOSOVA ka tjetër medalje olimpike

Kosova tashmë e ka të sigurt medaljen olimpike nga “Parisi 2024”. Këtë e bënë të mundur xhudistja Distria Krasniqi dhe kryemjeshtri Driton Kuka.

Distria  është në finale të kategorisë deri 52 kilogramë. Pra e ka të sigurt të paktën medaljen e argjendtë. Natyrisht ajo synon të artën dhe të shkruaj histori.

Në gjysmëfinale, Distria e kaloi italianen e papërshtatshme Odette Giuffrida. Ndaj saj tani ka shtatë fitore e katër humbje.

Lufta ishte shumë e fortë dhe shumë taktike. Italiania herët mori dy dënime, por më pas nuk kishte hedhje. Të dy xhudistet ishin të kujdesshme për të mos pësuar.

Lufta shkoi në kohën shtesë, ku Distria u rrezikua për herë të parë. Por evitoi rënien dhe lufta vazhdoi. Më pas të dy xhudistet e morën nga një dënim dhe kështu fitorja ishte për Distrinë. Giuffrida humbi për shkak të tri dënimeve.

Gjysmëfinalja i takon së kaluarës. Fokusi i Distrisë është te finalja. Ajo fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë në Tokio 2020. Tani synon titullin olimpik në kategorinë deri 52 kilogramë. Asnjë xhudiste në histori nuk ka fituar medalje të arta olimpike në dy kategori të ndryshme.


Atmosferë madhështore në garën e xhudos, pas pak garon Distria

Në ora 16:00 ka nisur blloku final në garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Sot janë garat në kategorinë 52 kilogramë te xhudistet dhe 66 kilogramë te xhudistët.

Atmosfera në arenën ku po zhvillohen garat, Champ de Mars Arena, është madhështore.

Palestra është e stërmbushur, ndërsa përkrahja për xhudistët e zjarrtë. Tashmë kanë nisur garat  e repesazhit te xhudistet. Pas pak Distria Krasniqi paraqitet në gjysmëfinale.

Në palestër janë mbi 8000 shikues.


Italiania Giuffrida, kundërshtarja e radhës e Distrisë

 - Distria Krasniqi ka kundërshtare shumë të njohur në rrugën drejt finales dhe medaljes olimpike. Në gjysmëfinale do të përballet me italianen Odette Giuffrida.

Ndaj saj ka Distria ka gjashtë fitore e katër humbje.

Pra dy prej xhudisteve më të mira në botë janë përballur plot dhjetë herë deri më tani.
Së fundi ka fituar Distria. Me tjetër fitore ajo siguron medaljen olimpike në “Parisi 2024”.

Blloku final nis në ora 16:00. 


Distria e pandalshme, i afrohet medaljes

Përditësuar, 12:49 - Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.
Në çerekfinale të kategorisë deri 52 kilogramë, xhudistja kosovare e mposhti izraeliten Gefen Primo. 
Distria me Primon tani ka bilanc prej katër fitore. 
Ndaj izraelites, Distria dominoi plotësisht. Fitoi me Ippon të bukur për 1 minutë e 4 sekonda. Distria kishte kontrollin e plotë dhe vazhdon rrugën në arenën më të madhe sportive.
Distrisë i duhet edhe një fitore për të siguruar medaljen olimpike.
 


Primo e Izraelit, kundërshtare e Distrisë

Distria Krasniqi do të përballet me izraeliten Gefen Primo në çerekfinale të kategorisë deri 52 kilogramë.

Në xhiron e dytë, Primo e mposhti xhudisten e Zvicrës Binta Ndiaye.

Distria i ka fituar tri përballjet me izraeliten. 


Distria nuk lejon befasi në luftën e parë

Përditësuar 11:40 - Distria Krasniqi nuk ka lejuar befasi në luftën e parë në garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Në kuadër të xhiros së dytë të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti Maryam Maharanin e Indonezisë.

Ndaj saj fitoi me Ippon të shpejtë për 37 sekonda. 
Tani Distria është në çerekfinale.


Befasia më e madhe e Olimpiadës, eliminohet Abe

Përditësuar 11:20 - Favoritja kryesore në kategorinë deri 52 kilogramë, japonezja Uta Abe është eliminuar në xhiron e dytë të Lojërave Olimpike në Paris.

Abe ishte duke udhëhequr me uazari ndaj bartëses së parë Diyora Keldiyorova. Por u shokua duke pësuar me Ippon.

Është kjo në fakt befasia më e madhe në pjesën e deritashme të Olimpiadës.
Abe e ka përjetuar shumë rëndë eliminimin. Ajo nuk kishte humbur për shumë e shumë vjet dhe ishte favoritja kryesore. 

Abe ka mbetur  në tatami për shumë minuta, ndërsa është larguar mes lotësh, përkrah trajnerit të saj.
Tifozët kanë thirrur emrin e saj, ndërsa e kanë përcjellë me duartrokitje deri në dalje nga arena.

Më 22 nëntor 2019 ishte hera e fundit kur Uta Abe ka pësuar humbje në kategorinë deri 52 kilogramë. Ishte mposhtur nga Amandine Buchard e Francës në Grand Slamin në Osaka. Kishte edhe një humbje në Lojërat Olimpike të Tokios, por në garën ekipore dhe në kategori deri 57 kilogramë. 

Tjetër humbje japonezja Abe kishte në vitin 2016. Të tjerat luftëra i ka fituar.

Abe i ka 96 fitore e tri humbje në karrierë. 

Humbja e saj hap edhe më shumë rrugën që Distria të luftojë për të artën e dytë olimpike.


Caktohet kundërshtarja e parë e Distrisë

Tashmë dihet kundërshtarja e parë e Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Përballë Distrisë do të jetë Maryam March Maharani e Indonezisë.

Në xhiron e parë ajo fitoi ndaj Jacira Ferreira të Mozambikut.


Nis gara, Uta Abe fiton pa telashe

Ka nisur gara në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, ku Distria Krasniqi kërkon medalje sot.

E para që garoi ishte kampionia olimpike në fuqi, japonezja Uta Abe. Ajo fitoi shpejt me Ippon ndaj xhudistes së Kanadasë, Kelly Deguchi.

Abe është favoritja më e madhe.