Javët e fundit kanë qenë mjaft produktive për filmbërësit dhe aktorët kosovarë, të cilët kanë marrë lajme pozitive sa u përket projekteve të tyre filmike.
Në mesin e tyre është edhe regjisorja More Raça, e cila pranoi lajme fantastike për dy filma të saj. Fjala është për filmin “Galaktika e Andromedës”, i cili është futur na garën kryesore të festivalit të filmit në Sarajevë, ku edhe e shënon premierën botërore.
Në një intervistë të fundit të Raçës për emisionin “Nëpër Film”, regjisorja e kishte pranuar se është shumë e kënaqur me suksesin që ky projekt, i cili njëherësh e shënon debutimi e saj në film të metrazhit të gjatë, e ka arritur deri më tani, dhe është e entuziazmuar me rrugëtimin që e pret tutje këtë film.
Edhe Qendra Kinematografike e Kosovës së bashku me Ministrinë e Kulturës këtë arritje e kanë konsideruar si një lajm tejet të rëndësishëm.
Regjisorja More Raça, e cila tashmë ka bërë emër edhe në festivale të kategorisë “A” përmes filmave të shkurtër, ka thënë se lajmi që filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë është pjesë e garës në Sarajevë, është një konfirmim për vlerat artistike të këtij projekti kinematografik.
Pjesë e garës kryesore të këtij festivali të rëndësishëm të filmit është bërë edhe projekti i fundit kinematografik i Visar Morinës, “Exil”. Filmi premierën botërore e pati në fillim të këtij viti në “Sundance Film Festival”, duke vazhduar tutje me premierën evropiane në festivalin e filmit në Berlin, “Berlinale”.
“Exili” një projekt mjaft i suksesshëm i Visar Morinës, e rrëfen historinë e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili zhytet në krizë identiteti, pasi që ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e tij të punës.
Kasta e këtij filmi sjell në ekran aktorët, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli dhe emra të tjerë të huaj, kryesisht artistë gjermanë.
Kështu, me këta dy filma, Kosova e shënon rikthimin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë pas 6 vjetësh. Më 2014 atje ishte dhënë premiera botërore e filmit “Tri dritare dhe një varje”, nën regji të Isa Qosjes.
Tutje lajme të mira në fushën e kinematografisë pati edhe nga regjisorja Lendita Zeqiri, e cila e konfirmoi lajmin se filmi i saj i metrazhit të gjatë, “Shpia e Agës”, ka arritur t’i marrë gjithsej katër nominime në “Pula International Film Festival”. Në festivalin më të vjetër të Kroacisë, që ka një traditë prej 67 vjetësh, “Shpia e Agës” garon për çmimin për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, aktoren më të mirë që shkon për Rozafa Çelajn dhe aktorin më të mirë për Art Lokajn. Nominimi i katërfishtë vjen një javë pas nominimit të trefishtë të këtij filmi në festivalin “Imagine India” në Madrid.
Në filmin “Shpia e Agës”, ku rrëfehet historia e pesë grave të cilët në vete i bartin traumat e luftës, në rolet kryesore vijnë aktorët: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni dhe të tjerë.
Edhe regjisorja Antoneta Kstrati i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta dhënë lajmi, se filmi “Zana” është pjesë e programit jogarues të “Shanghai International Film Festival”.
“Zana” një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjell një grua të re kosovare, e cila përpiqet të bëhet nënë, përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës, ka shënuar dhe po vazhdon të shënojë suksese të jashtëzakonshme në festivalet ndërkombëtare. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorë të njohur kosovarë, Adriana Matoshi dhe Astrit Kabashi.
Në anën tjetër, regjisori dhe skenaristi i njohur Kosovar, Zgjim Terziqi, e ka konfirmuar lajmin se film i tij i metrazhit të shkurtër, “Salloni”, do të shfaqet në kuadër të festivalit të sivjetmë të filmit në Lubjanë, si pjesë e garës zyrtare të “FeKK - Ljubljana Short Film Festival”. Kjo ngjarje zë vend nga 17 deri më 22 gusht të këtij viti.
I entuziazmuar me lajmin, Terziqi po ashtu i informoi gjithë adhuruesit e kinematografisë që projektin në fjalë do të kenë mundësi ta shohin edhe në kuadër të “Dokufestit”.
Tutje, “Salloni” do të shfaqet edhe në festivalet “Busan International Film Festival” në Korenë Jugore, “FEST - New Directors / New Films Festival” në Portugali dhe “River Film Festival” në Itali.
Në një intervistë të fundit për emisionin “Nëpër Film”, Terziqi tregoi se është në përgatitje të skenarit të ri, “2000: A post War Odyssey”, me të cilin njëherësh debuton në film të metrazhit të gjatë, gjë që është mjaft emocionuese për të.