NËPËR FILM

Shengyl Ismaili dhe dashuria e saj për aktrimin

Shengyl Ismaili është një prej aktoreve më të pëlqyera të kinematografisë kosovare. Ajo shquhet për dashurinë ndaj aktrimit të cilën e vërteton më së miri në çdo projekt filmik në të cilin luan.

Duke e shfaqur talentin e saj në tri fushat kryesore të aktrimit: teatër, film dhe televizion, Shengyli ka arritur ta ndërtojë një karrierë të suksesshme në këtë industri.

Aktorja përveç energjisë që e sjell përmes roleve të saj, ajo karakterizohet me të njëjtën natyrë edhe në jetën e përditshme, duke qenë vazhdimisht e angazhuar me aktivitete nga më të ndryshmet. Por, si e ka kaluar ajo kohën në karantinë?

Ismaili tregoi se në fillim e kishte vështirë të adaptohej me situatën e krijuar nga pandemia, por më pas e ka shijuar mundësinë për të kaluar sa më shumë kohë me fëmijët e saj.

Ndër rolet e fundit të Shengylit në film të metrazhit të gjatë, i cili ka shënuar suksese të jashtëzakonshme dhe për të cilin ajo edhe është shpërblyer me disa çmime të rëndësishme, është filmi “Shpija e Agës”.

Aktorja në emisionin “Nëpër Film” foli për eksperiencën e saj në këtë projekt si dhe i kujtoi disa momente nga xhirimet e tij.

Përveç angazhimit në filma të regjisorëve të njohur kosovarë, aktorja gjithmonë gjen kohë për t’i ndihmuar edhe filmbërësit e rinj, duke u bërë pjesë e filmave të tyre të shkurtër dhe duke e ndarë kështu eksperiencën e saj me gjeneratat e reja.

Shengyl Ismaili është një aktore shumë e aftë për t’u transformuar në secilin rol, si në drama ashtu edhe në komedi. Madje, aktorja thotë se rolet komike i ka shumë për zemër.

E talentin e Ismailit në aktrim duket se e ka trashëguar edhe djali i saj, Lumi. Ai madje e arriti një prej sukseseve më të lakmuara për secilin aktor, që është konkurrimi për çmim “Oscar” me filmin e metrazhit të shkurtër “Shok”. Shengyli flet me shumë dashuri dhe krenari për sukseset e djalit të saj, duke e vlerësuar në veçanti etikën e tij të punës.

Sa u takon sukseseve që filmat kosovarë e kanë shënuar këto vitet e fundit, nëpër festivale të ndryshme anembanë botës, aktorja thotë se pajtohet me çdo vlerësim që ata po e marrin.

Në fund, Shengyli e ndau një mesazh të shkurtër, por të rëndësishëm për të rinjtë që duan të merren me aktrim.