NËPËR FILM

Rrugëtimi me plot suksese i filmit “Zgjoi”

I ftuar në edicionin e fundit të emisionit “Nëpër Film” ishte producenti i “Ikonë Studio, Valon Bajgora. Pas përfundimit të rrugëtimit të filmit “Zgjoi” drejt nominimit për çmimin prestigjioz “Oscar”, me producentin e këtij projekti të shumëshpërblyer kosovar diskutuam për rrugëtimin e tij të mbushur me suksese anembanë botës.

“Këto kanë qenë kohë goxha intensive, por mendoj se megjithatë ka qenë një kënaqësi për ne ta shohim se si zhvillohet një fushatë për film në ‘Oscars’, që shquhet si gara më e fuqishme në botë”.

Regjisorja 39-vjeçare, Blerta Basholli dhe ekipi i filmit “Zgjoi” padyshim se i kanë dhënë shpresë kineastëve të tjerë, që një ditë emri i Kosovës do të figurojë mes të nominuarve të këtij çmimi prestigjioz.

“E kemi bërë një fushatë shumë të mirë dhe jemi përgëzuar për këtë punë. Mendoj se ‘Zgjoi’ i kishte të gjitha kualitetet për të qenë pjesë e 5 filmave të nominuar por gjithashtu mendoj se ky ka qenë një vit shumë i vështirë sa i takon konkurrencës, sepse në garë ka pasur filma shumë të mirë dhe emra me shumë renome anembanë botës”.

Pavarësisht konkurrencës jashtëzakonisht të fortë në garën për “Oscar”, Bajgora thotë se Kosova si shtet i ri dhe i vogël prodhon filma cilësorë të cilët kanë korrë suksese të jashtëzakonshme nëpër festivale të mëdha.

“Industria e filmit në Kosovë apo kinematografia në përgjithësi e ka cilësinë e vet, do të thotë kjo po vërehet edhe nga filmat që dalin nga ky vend kaq i vogël, i ri dhe me shumë artistë, të cilët po arrijnë të depërtojnë nëpër festivale të kategorisë ‘A’, prandaj jam i sigurt dhe optimist që shumë shpejtë do ta kemi një film i cili do ta ketë po ashtu rrugën e njëjtë në ‘Oscars’, duke u futur në listën e ngushtë e pse jo edhe të nominohet. Unë mendoj se për nga cilësia e tregimit dhe produksionit ne absolutisht nuk i lëshojmë rrugë asnjë vendi në rajon dhe në Evropë. Rrugën drejt ceremonisë ‘Oscar’ tashmë e njohim dhe e dimë se si shkojnë procedurat. Por e mira kryesore e filmit ‘Zgjoi’ dhe disa projekteve tjera është se, fokusi i botës ndaj kinematografisë kosovare është në maje dhe tani të gjithë presin për të parë se cili është projekti i radhës. Ne definitivisht kemi filma që janë të gatshëm për ta befasuar botën me tregimet dhe historitë tona”.

Për fund, Valon Bajgora zbuloi pak hollësi për filmat e ardhshëm që “Ikonë Studio” është duke i realizuar.

“Është filmi i Gazmend Nelës, po ashtu një artist i cili hapat e parë i ka filluar në Kohavision. Ky është filmi i dytë i tij dhe titullohet ‘Heshtja e Sirenës’ dhe vjen i mbështetur nga QKK-ja. Xhirimet fillojnë më 21 shkurt dhe zgjasin gjithsej 30 ditë. Filmi është një dramë sociale dhe familjare dhe jemi ende në proces të përgatitjes së tij. Projektet për ‘Ikonë’ nuk do të mungojnë, është edhe filmi i Blerta Bashollit të cilin është duke e punuar dhe është ende në fazën e zhvillimit. Ky film titullohet ‘Era’ dhe është një tregim shumë i bukur dhe personal i regjisores ku gjenerata e saj ka kaluar nëpër atë fazë dhe fokusohet në sistemin e shkollimit në vitet e ‘90. Pra e sjell gjithë atë kohë si e kalojnë rinia dhe si ballafaqohen me problemet dhe realitetin e asaj kohe. është vërtetë një tregim shumë i bukur i shkruar nga Blerta dhe vetëm kaq mund të zbuloj për tani”.

Rrugëtimi i “Zgjoit” nuk mbaron këtu. Ekipi prapa realizimit të filmit ka bërë të ditur se ai të vazhdojë komunikimin me botën, përkundër faktit se nuk ishte në mesin e pesëshes së artë për “Oscars”.