“Kino Armata” edhe njëherë po e organizon shkollën joformale “Neo_School”. Për këtë modul pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë për prodhimin e filmave të shkurtër dokumentarë. Qëllimi i organizimit të kësaj shkolle joformale është pasi që krijohet një eksperiencë emocionale që e rrit dashurinë për një lëmë ose pasionin për të mësuar.
Nga 31 maji e deri më 4 korrik të këtij viti, gjashtë kandidatët e zgjedhur do të kenë mundësi të dëgjojnë ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, nga liderët në fushat e filmit dhe hulumtimit.
“Tashmë veç i kemi përzgjedhur kandidatët dhe ata janë të njoftuar me kurrikulën e përgjithshme e cila do të ndodhë dhe e cila është pesë javore. Do të thotë ku edicion i ‘Neo_School’ zgjatë deri më 4 korrik. Në dy javët e para, përveç njoftimit me aplikuesit dhe me kurrikulën do të mbahen edhe ligjëratat me disa prej ligjëruesve më eminent ose më profesionist në fushat e tyre të caktuara, e ato janë të gjitha etapat e zhvillimit dhe prodhimit të një filmi të shkurtër dokumentar, duke filluar nga hulumtimi mbi rrëfimin, parimet e ndryshme gazetareske, puna me kamerë, montazh, incizimi i audios, produksioni dhe distribuimi i filmit dhe të tjerë”, deklaroi drejtori i “Kino Armata”, Alush Gashi, për emisionin “Nëpër Film”.
I pyetur nëse ka pasur mjaftueshëm të interesuar për t’u bërë pjesë e “Neo_School” këtë vit, marrë parasysh situatën me pandeminë, Gashi tha:
“Fatmirësisht ka pasur mjaft aplikues të interesuar për tu bërë pjesë e ‘Neo_School’. Ne e kemi një rrjet të njerëzve dhe profesionistëve që punojnë në film, përfshirë këtu profesorë, studentë por edhe ‘filmaxhi’ të kohëpaskohshëm, do të thotë dikush që nuk e ka filmin profesion por e përdorë atë si medium në punën e tyre të përditshme ose janë thjeshtë entuziast të filmit. Pra fjala është përhapur mjaftueshëm në këtë nivel dhe aplikuesit kryesisht kanë qenë më të ri në moshë”.
Megjithëse nuk kishte kritere të caktuara apo kufizime për të aplikuar, këtë vit të gjithë kandidatët e përzgjedhur për t’u bërë pjesë e shkollës joformale “Neo_School”, i takojnë gjinisë femërore.
“Jemi krenarë pa modesti të sforcuar që këtë herë janë përzgjedhur gjashtë kandidate femra të cilat e udhëheqin këtë kurs. Në fakt edhe herën e kaluar kandidatet kanë qenë ndër më të suksesshmet, por prapë po them se nuk dua ta sforcojë këtë fakt sepse mund të ketë qenë vetëm një rastësi, por kjo e tregon edhe një gjë, që profesionet apo punët sikur këto nuk kanë dallim moshe, profesioni, gjinie dhe të tjerë”.
Pas punës intensive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, çdo pjesëmarrës do të prodhojë nga një film të shkurtë dokumentar 3 deri në 5 minuta. Në fund të këtij cikli pesë-javor do të bëhet edhe prezantimi i filmave dhe ndarja e përvojave nga ky proces.