“Luaneshat e Kodrës” do të jetë filmi i parë i metrazhit të gjatë nga Kosova që do ta shfaqë premierën në Festivalin e Kanës, një ndër ngjarjet më prestigjioze në botën e filmit.
E njohur kryesisht si aktore, Luàna Bajrami me këtë film e vulos suksesin e saj edhe si regjisore, si dhe ka mundësinë që të dalë edhe me çmim nga ky festival, ani pse nuk është pjesë e garës zyrtare. Bajrami ishte e ftuar në emisionin “Nëpër Film” me ç’rast tregoi gjithçka rreth këtij projekti, i cili vjen i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga “OrëZanë Films” (Kosovë), “Vents Contraires” (Francë) dhe “Acajou Productions” (Francë).
“Ka qenë me rëndësi për mua ta dërgoj filmin tim të parë atje, sepse e dua shumë Festivalin e Kanës dhe kam qenë atje si edhe aktore, prandaj kjo ishte mundësia më e mirë për ta lidhur Francën dhe Kosovën përmes artit të kinemasë, që është arti im”, deklaron Bajrami.
Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë, ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë. Kjo është tema të cilën e trajton filmi që vjen i shkruar nga Luàna, e cila po ashtu luan në film dhe e ka bërë regjinë e tij.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë ta bëjë një film të metrazhit të gjatë, sepse më herët kam realizuar shumë filma të shkurtër, por asnjëherë në mënyrë profesionale. Kështu që kjo ishte një ëndërr e imja e kamotshme. E kam shkruar vet filmin dhe pastaj kisha dëshirë ta xhiroja atë, por shumë shpejt. Pra para xhirimit dhe produksionit, nuk kishim mundësi të siguronim partnerë të cilët e mbështetin filmin financiarisht. Pastaj duke e montuar projektin kanë ardhur disa partnerë që kanë besuar në punën tonë dhe kështu kemi arritur në përfundimin e filmit tonë”, shtoi tutje regjisorja.
“Unë e kam parë si xhirohet një film kur isha vetëm 10-vjeçare, pra aty më ka lindur dashuria për regjinë dhe aktrimin, dhe nuk jam ndalur më kurrë së punuari në këtë profesion. Gjithashtu kam mësuar shumë nga regjisorët me të cilët kamë bashkëpunuar ndër vite”.
Nga riviera franceze, rrugëtimi i filmit “Luaneshat e Kodrës” pritet të vazhdojë tutje me festivale të ndryshme anembanë botës. Por kur do të mund të jetë në dispozicionin e publikut kosovar?
“Mendoj se planifikimin do ta bëjmë pas Festivalit të Kanës. Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ do të shfaqet për herë të parë në Francë kah fillimi i vitit 2022. Pra mendoj se gjatë vitit të ardhshëm do ta shfaqim atë edhe në Kosovë, sepse normal për mua është shumë me rëndësi ta shfaqi filmin tim për publikun kosovar”, përfundoi Luàna.
Filmi “Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducent, Pascal Judelewicz.
Në rrolet kryesore i sjellë aktorët: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami. Premiera e tij do të shfaqet në kuadër të programit “Director’s Fortnight” të Festivalit të Kanës.