Filmi i regjisores Blerta Basholli, “Zgjoi”, tashmë mund të konsiderohet filmi i parë në Kosovë që ka një shitje të gjerë. Rrëfimi që vë në pah mbijetesën si shpresë në Kosovën e pasluftës, do të komunikojë pothuajse me gjithë botën, pasi që “LevelK”, kompania nga Danimarka e cila ka të drejtën e shitjes globale të “Zgjoit”, ka sjellë të martën te filmdashësit një lajm të mirë. Kjo kompani ka arritur disa marrëveshje me distributorë të njohur në Amerikën Veriore, Evropë e madje edhe në Azi.
“Suksesi i filmit ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli ishte një kulminacion i këtyre viteve të fundit dhe normalisht jemi gëzuar shumë, është diskutuar në media dhe është festuar edhe nga publiku. Faza e distribuimit të mëtutjeshëm apo shpërndarjes së filmit, është një hap i natyrshëm me një sukses të tillë. Në njëfarë mënyre ky konsiderohet një gëzim dhe shpërblim i jashtëzakonshëm, sidomos për faktin se një storje e tillë sikur ajo që e trajton filmi ‘Zgjoi’, po shpërndahet dhe do të shihet nga miliona njerëz në të gjithë rruzullin”, tha Lum Çitaku, zyrtar për komunikim me publikun në Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Arritja e një marrëveshjeje të këtillë për distribuim kaq të gjerë është lajm i mirë për filmin “Zgjoi”, por edhe për projektet tjera nga Kosova, sepse në njëfarë mënyrë ua hap rrugët që të mund ta gëzojnë të njëjtin sukses në të ardhmen.
“Filmi ‘Zgjoi’ kur fitoi në festivalin ‘Sundance’, kjo automatikisht e sjell vëmendjen e shumë njerëzve të industrisë të cilët dëshirojnë që projekti të shfaqet gjithandej. Elementi tjetër, tash po dal nga ana kulturore që sigurisht është paksa dhe politike, është që nëse filma të tillë shfaqen edhe nëpër regjione që nuk kanë njohuri për Kosovën, kjo konsiderohet një mundësi e mirë që në njëfarë mënyra ta ndajmë historinë tonë edhe më botën”, shtoj tutje Çitaku.
pyetur se çfarë mendon se e bënë kaq të pëlqyer këtë film për publikun, Lumi tha: “Normalisht që kualiteti filmik i ‘Zgjoit’ është shumë i lartë por ajo çka e bënë posaçërisht me ndikim këtë film tek audienca, është storja e fuqishme të cilën e trajton. Kjo gjë është festuar dhe është shpërblyer, prandaj mendoj se jemi me fat jo vetëm ekipi që ka punuar në të, institucioni ynë që e ka mbështetur, apo komuniteti artistik në vend, por edhe e gjithë Kosova”.
“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe përveç QKK-së është mbështetur edhe nga Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Ikonë Studio” dhe “Industria Film”, me bashkëprodhim nga “Alva Film Production”, “Black Cat Production”, “AlbaSky” e “Swiss National TV”.