NËPËR FILM

Edicioni i 14-të i “PriFestit” vjen me shumë risi

I ftuar në emisionin “Nëpër Film” ishte drejtori i programit “PriForum”, Besnik Krapi, i cili zbuloi hollësi rreth përgatitjes së programit sivjet, festivalit “PriFest” dhe risive që ia sjell publikut kosovar me edicionin e tij të 14-të.

“Pjesa e forumit në çdo festival është pjesa e zhvillimit të industrisë së filmit, ku aplikojnë njerëz me projekte të ndryshme, ku ka agjentë të shitjeve, distributorë dhe të tjerë. Do të thotë e gjithë ajo pjesa e rëndësishme e asaj që publiku e sheh në programin e festivalit, mbahet pikërisht në PriForum”, deklaroi Krapi.

“Ma e mira është që në festival po vijnë filmat tonë, duke e hapur apo mbyllur këtë ngjarje. Kjo është një gjë e mirë sepse tregon se industria e filmit në vendin tonë ka filluar të zhvillohet. Mua më bënë të lumtur fakti se do ta hapim festivalin me një film kosovar që ka pasur suksese të mira, siç është projekti i Kaltrina Krasniqit, ‘Vera andrron detin’, i cili e pati premierën botërore në Venecie dhe është kënaqësi ta sjellim për publikun tonë. Ka edhe risi tjera, siç duhet tashmë, ‘Odesa Film Festival’ e mban edicionin e ri këtu. Kjo ka qenë ide shumë origjinale e Vjosa Berishës, sepse është e natyrshme që në këtë kohë secili shtet mundohet të solidarizohet me Ukrainën, dhe asaj i erdhi ideja që ta sjell festivalin ‘Odesa’ në Kosovë dhe që ai të mbahet në kuadër të ‘PriFestit’. Mendoj se kjo është risia më e bukur që e ka sivjet festivali. Sepse përveç solidarizimit, ne po i themi një shteti tjetër që ‘shtëpia e shqiptarit është e mikut’, do të thotë ejani në vendin tonë dhe megjithëse ju nuk na njihni si shtet, ne po ua ofrojmë hapësirën dhe mundësinë që ta mbani festivalin këtu. Është një gjë shumë e bukur që do të ndodhë sivjet”.

Tutje, aktori dhe producenti i njohur kosovar tha se është jashtëzakonisht i kënaqur me potencialin artistik të filmbërësve tanë.

“Kudo që shkon në festivale të ndryshme dhe këdo që e takon, e vetmja pjesë që të bënë të mos ndihesh i hendikepuar është potenciali artistik që e kanë filmbërësit tanë. Inferioritet ne producentët ndiejmë në përgatitjen tonë prapa kamerave, sepse nuk kemi degë produksioni. Por, nëse kemi diçka si shtet, është aktorë dhe regjisorë të mrekullueshëm”.

Në fund, Krapi bëri thirrje për zhvillimin e industrisë së filmit, të cilën sipas tij mund ta bëjmë përmes infrastrukturës ligjore.

“Industria jonë e ka përfunduar një mision që janë festivalet dhe çmimet. Kemi shkuar në Kanë, Berlin, Sundance dhe të tjerë, ku edhe kemi fituar çmime të ndryshme. Tani duhet të punojmë në zhvillimin e industrisë, dhe si mund ta bëjmë këtë, është përmes infrastrukturës ligjore. Ajo duhet të bëhet në mënyrë që projektet e huaja të kenë mundësi të vijnë dhe të xhirohen në Kosovë. Të hyrat më të mëdha, shtetet fqinje i kanë nga xhirimet e filmave të Hollywoodit, kjo ngase e kanë ligjin e taksave. Megjithatë, unë kam disa vjet që e kam hapur kompaninë ‘Service Company’ me shërbime vetëm për jashtë, dhe deri më tani kemi realizuar klipe muzikore dhe reklama. Tani kemi filluar me filma, dhe pavarësisht se nuk i kemi ligjet e taksave, ne po konkurrojmë me regjionin me çmim. ‘Jericho Ridge’ është një projekt amerikan i vendosur në Kosovë dhe i xhiruar sikur në Amerikë. E kemi punuar një stacion të policisë në Gërmi dhe kështu kemi treguar se edhe në vendin tonë mund të xhirohet një film amerikan i zhanrit aksion, me efekte speciale të jashtëzakonshme, dhe se Kosova ka filluar të rritet edhe në këtë aspekt. Kjo ka qenë një mundësi shumë e bukur sepse, pikërisht ky projekt do të sjell edhe shumë projekte tjera”.

“PriFilm” e shënon edicionin e 14-të të organizimit. Festivali mbahet nga 21 deri më 31 korrik dhe sivjet në shenjë përkrahjeje dhe solidariteti, organizatorët i kanë dhënë hapësirë filmave të festivalit ukrainas, “Odesa International Film Festival”.

Festivali ndërkombëtarë i filmit në Prishtinë hapet me filmin e shumëshpërblyer të Kaltrina Krasniqit, “Vera andrron detin”.