Kryetari i Prishtinës ka folur për një sërë projektesh të cilat janë realizuar, po vazhdojnë dhe ato që po planifikohen për vitet në vazhdim.
Përparim Rama ka thënë se shumë projekte i kanë shkuar fundit, por se ka edhe të tjera që kanë ngecur.
“Kemi një numër të madh të punimeve që po ekzekutohen në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Edhe investime infrastrukturore ku kemi numër të madh të rrugëve që kanë filluar dhe kanë përfunduar, disa të tjera që kanë filluar vazhdojnë ende zhvillimin. Kemi bë planifikime edhe për vitin e ardhshëm. Edhe renovimin e shkollave ekzistuese, edhe ndërtimin e shkollës së re në Vranidoll që e kemi hapur sivjet që ka qenë problem i madh në atë zonë. E kemi përfunduar aty. Jemi duke punuar në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, në rinovime dhe ndërtimin e shkollës në lagjen ‘Qëndresa’ dhe dy shkolla të tjera. Kjo do të ndihmojë edhe trafikun, pra ndërtimi edhe i infrastrukturës rrugore, shkollore, të qendrave mjekësore familjare. Kemi bë edhe hapësira të ndryshme rekreative, sportive, parqe”, ka treguar ai në emisionin "038".
Rama ka folur edhe për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”. Ka thënë se transformimi i tij veçse ka filluar dhe se do të ndërlidhet në tri shtresa.
“Transformimi veç ka filluar, por shesh i dizajnuar në prill të 2024-s do të fillojmë. Do ta shpallim tenderin për ta transformuar krejt këtë hapësirë. Do ta bëjmë publike dhe do të kemi disa hapësira këtu që lidhen me aspektin e shtresimit, pra prej Bibliotekës, Biblioteka është një nivel, pastaj te RTK-ja dhe këtu sheshi është nivel tjetër. Do të jenë tri shtresa që do të ndërlidhen”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se nuk do të mbyllet asnjë rrugë për shkak të shndërrimit në shesh të rrugës “Xhorxh Bush”.
“Ne nuk mbyllim rrugë, e vetmja rrugë kryesore që është hapur për qytetarët është kjo. Për makina, ne kemi analiza dhe organizimin e sistemit njëkahor që e kemi testuar dhe tash po bëjmë planifikimin për shenjëzimin dhe autobusët që po i presim. Kur vijnë autobusët dhe e kemi analizën e linjave të autobusëve, për t'i funksionalizuar të gjitha zonat e kryeqytetit. Pastaj e kemi këtë qasjen njëkahore të qendrës së kryeqytetit dhe transformohet në mënyrë të bukur”.
Ka deklaruar se nuk ka opsion tjetër por zgjatjes së sheshit deri te Rrethi me Flamur.
“Mendoj se nuk kemi çare pa e zgjatë deri të Rrethi me Flamur nëse duam me shpëtu qytetin nga ky kaos i trafikut sic e kemi sot. Kaosi në trafik është me vite dhe është shenjë që qytetarët këtu dhe që vijnë nga jashtë dynden në Prishtinë. Rrugët periferike kanë qenë shumë të mangëta, prandaj me një intensitet jemi duk i punuar rrugët përreth, me kriju rrugë alternative, me kriju shkolla alternative e qendra mjekësore. Këto do të ndihmojnë trafikun në qytet”, ka theksuar Rama.
Ai ka përsëritur se: “Transformimi është duke ndodhur, transformimi nuk është i lehtë, nuk është i shpejtë, por është duke ndodhur”.
I pyetur për marrëdhëniet me nivelin qendror, ai ka dhënë mesazhin që me politikanët, të gjithë “të bëhemi së bashku për të mirën e të gjithë vendit”.
“Unë gjithmonë i kam pasur marrëdhëniet e mira me gjithkënd dhe nuk jam konfrontues, uroj të kemi bashkëpunim të mirëqenë mes nivelit lokal dhe qendror. Nuk kemi asnjë arsye që të jemi konfrontues”, ka përfunduar ai.