Tenderi për “Furnizimin me pajisje për pastrimin e kryeqytetit”, në vlerë rreth 1.5 milion euro, i iniciuar nga Komuna e Prishtinës, ka shpërfaqur dyshime se si zyrtarët e prokurimit konfirmojnë dokumentet që operatorët ekonomikë u ofrojnë.
Kompania D&T dyshohet që ka falsifikuar dokumentet kinse të lëshuara nga kompania prodhuese e këtyre pajisjeve.
Për dyshime është informuar edhe Komuna e Prishtinës, të cilët kanë thënë që kanë komunikuar me prodhuesin, e ai ua ka konfirmuar që materialet janë të manipuluara dhe falsifikuara.
Por ekspertiza e Organit Shqyrtues të Prokurimit po ashtu, thotë që kanë komunikuar me prodhuesin të cilët për materialin e njëjtë kanë thënë që është i manipuluar.
KOHA nga burimet e saj ka mësuar që Komuna e Prishtinës ka komunikuar me dileret e prodhuesve FORD e Otokar në Shqipëri e Maqedoni e jo me FORD-in e Otokarin, siç kanë thënë publikisht.
Për këtë çështje është pyetur Komuna e Prishtinës. Ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Por një muaj më parë, ky institucion thoshte që kishin komunikuar me prodhuesin dhe çdo gjë ishte bazuar në ligj.
“Me qëllim që të konfirmohet përtej çdo dyshimi se pretendimi në fjalë është i pabazuar, zyrtari i prokurimit (bartësi i aktivitetit të prokurimit) ka kërkuar nga prodhuesit e autorizuar ndërkombëtarë që të konfirmojnë përmbajtjen (saktësinë) e katalogut me të cilin ka ofertuar tenderuesi i rekomanduar dhe i njëjti ka pranuar nga të dy përfaqësuesit ndërkombëtarë të autorizuar konfirmimet mbi saktësinë e katalogëve që ka ofruar Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontratë. Pra në këtë mënyrë është rikonfirmuar rishtazi se pretendimi është i pabazuar në tërësi”, thuhej në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Por në ekspertizën e ekspertit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, e nxjerrë në fillimin e këtij muaji, thuhet që prodhuesi ka konstatuar që dokumentet e katalogu janë të manipuluara.
“Katalogu i dërguar me email nga prodhuesi “Otokar Otomotiv ve Savunma Sanayi A.S” është i njëjtë me katalogun që gjendet në faqen e internetit të prodhuesit dhe sikurse është evidentuar më sipër, konstatohet se së paku 10 pozicione janë manipuluar të dhënat në katalogun e dorëzuar nga Grupi i Operatorëve ekonomikë të rekomanduar”, thuhet në ekspertizë.
Kjo ekspertizë pa dilema thotë që në dokumentet e dorëzuar kishte mashtrim.
“Duke u bazuar në sqarimet e mësipërme, eksperti vlerëson se pretendimi ankimor është i bazuar për faktin se Grupi i OE-ve të rekomanduar kanë dorëzuar një dokument të rremë me të dhëna të manipuluara”, thekson ekspertiza.
Për dyshimet për falsifikim, KOHA javën e kaluar ka dërguar pyetje edhe te grupi i operatorëve D&T, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.