Komuna e Prishtinës e ka shpallur konsorciumin “D&T” fitues të tenderit prej 1.5 milionë eurosh, për blerjen e pajisjeve për pastrimin e kryeqytetit. Por, pasi lënda ka shkuar në “gjykatën e tenderëve”, janë lëshuar dy ekspertiza, një nga të cilat thekson se fituesi prezantoi dokumente false
Janë ngritur dyshime se Komuna e Prishtinës ka shpallur fitues të tenderit për “Furnizimi me pajisje për pastrimin e kryeqytetit”, kompaninë e cila ka prezantuar dokumente false.
Fitues i tenderit 1.5-milionësh është konsorciumi “D&T”. E, një ekspert i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka gjetur se fituesi ka falsifikuar autorizimet origjinale për pajisjet e ofruara.
Edhe autoritetet e komunës e edhe përfaqësues të konsorciumit kanë mohuar akuzat.
Ndërkaq, pas dy ankesash, rasti ka shkuar në “gjykatën e tenderëve”, ku janë nxjerrë dy ekspertiza kontradiktore.
Njëra ekspertizë ia ka falur besimin kompanisë e edhe Komunës, duke konstatuar që dokumentet e dorëzuara janë valide, ndërkaq tjetra ka konstatuar se ka falsifikim dhe mashtrim.
Në ekspertizën ku janë ngritur dyshimet, theksohet se modifikimi i të dhënave dëshmohet fare lehtë.
“Eksperti sqaron se makineritë e ofertuara (‘Otokar Atlas 8.5t -12t’ dhe ‘Ford Truck 1833 DC12’.) nga Grupi i OE (Operatori Ekonomik v.j.) të rekomanduar për kontratë, u takojnë dy prodhuesve të ndryshëm, rrjedhimisht nuk është plotësuar kërkesa numër 12 e kapacitetit teknik dhe profesional e përcaktuar nga AK (Autoriteti Kontraktues v.j.) në dosjen e tenderit. Andaj, pretendimi ankimor në këtë pikë është i bazuar”, thuhet në ekspertizë.
Ekspertiza jep detaje se çka është falsifikuar ose modifikuar, si dhe thekson se kjo është e konfirmuar edhe nga kompania prodhuese.
“Më datë 06.12.2023 është pranuar emaili nga Menaxheri Rajonal i Shitjeve Ndërkombëtare të Kamionëve në ‘Otokar Otomotiv ve Savunma Sanayi A.S’. Në email shënohet: ‘Të dhënat në katalogun që keni dërguar nuk janë të sakta. Ky katalog është manipuluar dhe nuk është lëshuar nga ne. Ne po ju dërgojmë katalogun e saktë të automjetit si bashkëngjitje’”, thuhet në këtë dokument.
Eksperti ka identifikuar edhe shkelje të tjera në këtë tender.
E, ekspertiza tjetër që thotë se gjithçka ka qenë në rregull me tenderin, është shërbyer vetëm me dokumentet e Komunës së Prishtinës, të cilat i ka marrë si të mirëqena dhe nuk ka bërë verifikim shtesë.
“Eksperti shqyrtues ka ekzaminuar dhe ka krahasuar dimensionet e produktit ‘Ford TRUCKS 1833 DC Euro 6’ dhe ka rezultuar që në katalogun e publikuar në uebfaqen e prodhuesit dimensionet për të njëjtin produkt ndryshojnë nga katalogu i prezantuar në ofertë pikërisht për të njëjtin produkt. Megjithatë, eksperti shqyrtues sqaron se AK – Komuna e Prishtinës, zyra e prokurimit, më datën 8.9.2023, përmes emailit ka kërkuar nga prodhuesi konfirmim të katalogut dhe konfirmim të përmbajtjes së të njëjtit katalog në kuptim të saktësisë së tij. Po të njëjtën ditë Zyra e Prokurimit te AK – Komuna e Prishtinës pranon konfirmimin”, thuhet në ekspertizën tjetër.
KOHA ka dërguar pyetje shtesë te komuna edhe te konsorciumi “D&T”. Fituesi i tenderit nuk ka kthyer përgjigje, ndërkaq komuna i është referuar vetëm ekspertizës që i jep të drejtë asaj. Autoritetet komunale kanë këmbëngulur se ekspertiza nuk përmend fjalën manipulim e falsifikim, e kur KOHA ua ka dërguar atë, ka munguar përgjigjja shtesë.