Organizata INPO ka vlerësuar se Kuvendi i Komunës së Prishtinës dhe kryetari Përparim Rama, nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre në planifikimin e Projektbuxhetit për vitin 2024.
Sipas INPO-s organet komunale të kryeqytetit kanë neglizhuar zbatimin e obligimeve ligjore për planifikimin e politikave fiskale dhe financiare të Komunës.
“Kuvendi i Komunës së Prishtinës, respektivisht i kryeqytetit nesër, më 14 shtator 2023, përmes mbledhjes së jashtëzakonshme, të thirrur nga kryetari i kryeqytetit, do të shqyrtojë dhe do të miratojë njërin ndër dokumentet më të rëndësishme për funksionimin e Komunës, buxhetin për vitin 2024, përkundër se nuk ka zbatuar obligimet e tij ligjore rreth procesit të planifikimit të buxhetit në njërën anë, dhe në anën tjetër procesi i hartimit, shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit komunal nuk është ndonjë çështje e jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e INPO-s.
Tutje në reagim thuhet se sipas nenit 61.2 të Ligji për menaxhimin e financave dhe përgjegjësitë (LMFPP), “pas pranimit të projekt buxhetit nga kryetari i komunës, Kuvendi Komunal do të mbajë dëgjime publike në përputhje me aktet e aplikueshme ligjore të komunës. Pas këtyre dëgjimeve, Kuvendi Komunal, deri në datën e përcaktuar në paragrafin 3 të nenit 20 të këtij ligji, duhet të shqyrtojë, ndryshojë siç e sheh të nevojshme ose të arsyeshme si dhe të miratojë dhe t’ia dorëzojë Ministrit propozim-buxhetin komunal”.
Ky nen thuhet se nuk është zbatuar. “Kuvendi i Komunës së Prishtinës, përveçse nuk ka mbajtur asnjë dëgjim publik rreth projektbuxhetit, atë e ka pranuar vetëm 6 ditë para mbledhjes së jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari. Kjo neglizhencë dhe mosgatishmëri e Kuvendit të Komunës për të zbatuar obligimet e veta ligjore rreth procesit të hartimit dhe miratimit të politikave financiare të Komunës dhe reflektimit e kërkesave dhe prioriteteve të qytetarëve në projektbuxhet, është në kundërshtim të plotë me mandatin e tij si organi më i lartë vendimmarrës në komunë dhe në kundërshtim me të gjitha parimet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve”, thuhet në reagim.
Sipas tyre miratimi i buxhetit dhe planeve investuese është kompetencë ekskluzive e kuvendit të komunës, të cilën nuk mund ta delegojë tek asnjë organ tjetër.
Në këtë drejtim INPO ka shprehur dyshime se votimi, respektivisht miratimi i një dokumenti “përmbajtja e të cilit është e paqartë, për të mos thënë e panjohur nga anëtarët e Kuvendit, nuk mund të ketë legjitimitet”.
Tutje thuhet se kryetari i Komunës sipas nenit 61.1 të Ligjit për financat publike dhe përgjegjësitë është dashur që më 1 shtator 2023, t’ia dorëzojë Kuvendit të Komunës, projektbuxhetin për vitin fiskal 2024, i cili sipas LMFPP duhet të përfshijë “a) parashikime dhe supozime ekonomike dhe buxhetore; b) vlerësime të përgjithshme të të ardhurave nga të gjitha burimet, duke përfshirë (i) grantet, në përputhje me shumat e këshilluara në qarkoren(t) buxhetore të nxjerra nga Ministri, (ii) ndihmën nga burimet jashtë Kosovës, dhe (iii) të ardhurat e parashikuara vetanake të komunës; c) një cak të përgjithshëm të shpenzimeve në të gjitha kategoritë ekonomike të shpenzimit; d) vlerësime të përkrahjes së pritur nga donatorët; dhe e) çfarëdo të dhëna të tjera me rëndësi materiale për buxhetin të cilat ZKF e konsideron të arsyeshme për t’u përfshirë”.
“INPO bën me dije se përveçse kryetari i Komunës nuk i ka respektuar afatet ligjore për dorëzim të projekt-buxhetit në Kuvend, atë nuk e ka dorëzuar me përmbajtjen e paraparë me ligj. Anëtarëve të Kuvendit të Komunës së bashku me ftesën për mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar dhe miratuar projekt buxhetin, u është vënë në dispozicion një tabelë e cila përmban informacione të përgjithësuara të kategorive buxhetore dhe e financimit të tyre. Madje INPO në disa raste ka gjetur mospërputhshmëri ndërmjet Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2024-2026 dhe projekt-buxhetit sa i përket planifikimit të investimeve për projekte kapitale. Në KASH, për projektin “Ndërtimi Unazës së Qytetit” për vitin 2024 janë paraparë 101,000.000EUR, ndërsa në buxhetin e propozuar, projekt me emërtim të tillë nuk ka. Gjithashtu, për projektin ‘Ndërtimi i shkollës në lagjen ‘Kalabria’’ për vitin 2024 janë paraparë 1,100,000EUR, ndërsa në buxhetin e planifikuar për vitin 2024 janë paraparë 500,000 euro”, thuhet në reagim.
Sipas tyre gjatë hartimit të projektbuxhetit nuk janë përmbushur standardet minimale të konsultimit publik. “Komuna e Prishtinës asnjëherë nuk ka publikuar draftin e projekt-buxhetit në uebfaqen e saj zyrtare dhe as në platformën e konsultimeve publike. Ekzekutivi i Komunës ka organizuar vetëm 5 takime me qytetarë, ku në asnjërën prej tyre nuk ka marrë pjesë kryetari i Komunës dhe në të cilat ka pasur pjesëmarrje tepër të ulët të qytetarëve. Po ashtu, Komuna nuk ka hartuar asnjë raport për rezultatet e konsultimit publik, i cili në veçanti pasqyron statusin e kërkesave, respektivisht pranimin apo refuzimin e kërkesave dhe rekomandimeve të marra nga palët e interesuara”, thuhet në reagim.
Sipas INPO-s dokumenti, i cili pritet të shqyrtohet dhe miratohet në mbledhjen e nesërme të Kuvendit, përveçse nuk i plotëson kriteret dhe obligimet ligjore, nuk është gjithëpërfshirës, transparent dhe i qasshëm për të gjithë.
“INPO i bën thirrje Kuvendit të Komunës si organi më i lartë vendimmarrës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të kompetencave të tij për të siguruar qytetarët e Prishtinës se buxheti komunal për vitin 2024 plotëson të gjitha kërkesat dhe obligimet ligjore dhe se ai reflekton kërkesat, prioritetet dhe nevojat e tyre dhe të sigurohet se në të ardhmen procesi i hartimit të buxhetit është gjithëpërfshirës transparent dhe në përputhje me standardet dhe obligimet ligjore”, thuhet në reagim.