Këshilli i Prindërve i Shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, do të protestojë të hënën, në shenjë pakënaqësie ndaj mosmbajtjes së procesit mësimor.
Në njoftim, thuhet se protesta njëorëshe, do të nisë në orën 12:00, në oborrin e shkollës.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës (SBASHK) ka deklaruar se greva e nisur më 25 gusht, do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave. Kërkesë e SBASHK-ut, ndër të tjera, është ndarja e 100 eurove shtesë për mësimdhënësit në muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave, derisa edhe gjatë së dielës kanë vijuar akuzat ndërmjet Qeverisë dhe sindikatës.
Kryeministri Albin Kurti i quajti “sindikalistë të PAN-it” udhëheqësit e SBASHK-ut, derisa kreu i sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha se deklaratat e Kurtit janë bajate.
“Të gjitha ofertat tona për Këshillin Grevist dhe Sindikatën e Arsimit nuk kanë vlejtur, u refuzuan. Për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng, për përshtypjen time të fuqishme, gjitha takimet që kam pasur, bëhet fjalë për një lloj inati anti-qeveritar. Kurs kundër Qeverisë së progresit e shpresës, prej sindikalistëve të PAN-it të cilëve iu ka ndaluar sahati më 5 qershor të vitit 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it dhe duan t’i bëjnë shërbim PAN-it në opozitë, duke bërë grevën armë kundër Qeverisë”, ka thënë Kurti.
Sipas Jasharajt, Kurti po i fton sindikalistët në takime vetëm për t'u tallur me ata. /ksp