Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë ka dorëzuar padi kundër Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë”.
Kjo parti iu drejtua Gjykatës Themelore në Prishtinë me padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie ndaj: NPB-së, Sh.P.K, Made Group Construction, Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K.
Egzon Azemi, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta shqyrtojnë sa më parë këtë padi.
Sipas tij, për projektin milionësh në lagjen “Lakërishtë”, vetëm se po cenohet interesi i qytetarëve.
Azemi shtoi se projekti i ndërtimit të këtij kompleksi është përcjellë me parregullsi të mëdha.
“I bëjmë thirrje organeve kompetente që ta trajtojnë me prioritet këtë lëndë sepse rreziku që po i kanoset pasurisë publike është shumë i lartë. NPB-ja pa asnjë njoftim ose diskutim paraprak hapi thirrjen për investim në ndërtim në pronën publike. Shpallja e pa vulosur e paprotokolluar zgjati më pak se tre ditë që vlera e saj është 120 milionë euro”, tha Azemi.
Ai bëri të ditur se krahas padisë, është dorëzuar edhe kërkesa për caktimin e masës së përkohshme, për moszbatim të kontratës së nënshkruar në mes të NPB-së dhe kompanive private.
Azemi ndër të tjera, përmendi edhe shkelje të shumta ligjore, që sipas tij kanë filluar qysh nga hapja e thirrjes për investim në pronën publike, ku nuk kishte as njoftim apo diskutim publik.
Kurse Arianit Beqiri, asamblisti i VV-së në Prishtinë, tha se kjo padi ndodhi pas një skandali njëvjeçar nga NPB-ja.
Sipas tij, një gjë të tillë ata kishin provuar që ta diskutojnë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal por që sipas tij, kjo gjë u refuzua nga pushteti lokal.
“Bëhet fjalë për mbi 17 mijë m2 në pronë publike në mes të kryeqytetit, në një nga zonat më të mira, të cilën po duan ta tjetërsojnë pronësinë nga publike në private dhe në emër gjoja të bashkëpunimit të projekteve të ndërmarrjes banesore, në fakt po synohet përfitimi i paligjshëm pasuror nga prona e përbashkët publike e qytetarëve të Prishtinës”, tha Beqiri.
Ai shtoi se projekti në fjalë që është i llogaritur si objekt afarist e banesor së bashku me pronën publike që do të shfrytëzohet e kalon vlerën e 120 milionë eurove.
“Prandaj ne sot kërkojmë edhe nga kjo gjykatë që të anulohet kjo kontratë me titull ‘Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist’ dhe që të paditurit Made Group Construction Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K, t’i lirojnë njerëzit, sendet dhe objektet në afatin prej 15 ditësh dhe të njëjtit t’ia dorëzojnë NPB-së”, tha Beqiri. /EO