Arbëri

Përmes protestës, Gllogovica kërkon transport urban

Rreth gjysmë ore udhëtim për në fshatin Prapashticë.

Megjithatë, këtë autobus e përdorin edhe udhëtarë të fshatrave përtej Prapashticës.

Banorët e fshatit Gllogovicë e shfrytëzojnë linjën 15 për të udhëtuar sa herë që dalin në Prishtinë, megjithëse i lë larg fshatit të tyre.

Në mungesë të një linje të autobusit deri në fshatin e tyre, ata thonë se nuk mund as të gjejnë një punë, e shumë nxënës kanë mbetur pa shkollim të mesëm.

Pasi zbresin nga autobusi, atyre u duhet të ecin edhe rreth 6 kilometra.

Me qese në duar, pasi fshati nuk ka as dyqan ushqimor, këtë rrugë e përshkon edhe Ismajl Bekteshi, ani pse në moshë të shtyrë.

Bekteshi ka 7 fëmijë, të cilëve u është pamundësuar edhe shkuarja në shkollë.

Në mungesë të autobusit, banorët e këtij fshati gjatë javës së kaluar kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.

“Më skandalozja, më e keqja për ne është se në atë fshat ka mbi 15 nxënës që e kanë mbaruar shkollën fillore dhe për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e posaçërisht për mungesë të transportit publik, është dashur të largohen nga shkolla dhe të mbesin në shtëpi. Ndihen shumë keq, e bashkë me ta edhe prindërit e tyre”, tha Asllan Bekteshi, përfaqësues i fshatit Gllogovicë.

Përderisa banorët e tjerë të fshatit kërkojnë përgjegjësi për fëmijët që kanë mbetur pa shkollim.

“Besoj që dikush do të japë përgjegjësi pse ata nxënës kanë mbetur pa mësim? Pse të mos vazhdohet ajo linjë për 4-5 kilometra. Ka nxënës, ka të rinj, ka të moshuar që duhet të ecin rreth 2 orë”, tha Zenel Bekteshi, banor i fshatit.

“Qato vetura që i kemi, i kemi prishë, nuk mundemi me dalë, fëmija nuk mund të shkollohen, qysh? Te mjeku nuk mund të shkojmë. 25 për qind e territorit është Gollak, ne e japim votën këtu. Mos me qenë ne këta (krerët institucionalë) nuk mund të dalin në krye të detyrës”, tha banori tjetër Selim Demolli.

Para kërkesave të tyre doli drejtori i Shërbimeve Publike i Komunës së Prishtinës, i cili ua dha një lajm të mirë protestuesve.

“Kërkesa për të pasur transport publik për tek ju është aprovuar. Sot do të kemi një mbledhje me task-forcën dhe me Trafikun Urban, sepse ky është një investim i BERZH-it. Na duhet të bëjmë rimodelimin e linjave të Trafikut Urban. Më vjen keq që po takohemi sot të flasim për këtë punë, kur është dashur të takohemi për projekte më të mëdha”, tha Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Në mars të vitit të kaluar Komuna e Prishtinës pati vazhduar linjën 15 të Trafikut Urban deri në Prapashticë, duke premtuar se brenda pak muajve do të vazhdohej kjo linjë edhe për fshatrat si Gllogovicë, Hajkobillë dhe Dabishec.