Përveç temperaturave të ulëta të janarit, banorët e rrugës “C” të komunës së Prishtinës po përballen edhe me ndotjen e jashtëzakonshme të ajrit të shkaktuar nga kaldaja e ngrohjeve të një kompanie.
KOHA ka siguruar pamje nga vendi ku përveç mjegullës së shkaktuar nga tymi i zi, banorët e një kompleksi banesor vështirë se mund të shohin diçka përreth.
Madje, ata pretendojnë se janë ankuar në Inspeksionin e Prishtinës, për këtë problem me të cilin po përballen për më shumë se një vit, por thonë se nuk është ndërmarrë asnjë masë për kompaninë që e ka shkaktuar atë.
Të dielën në mbrëmje, redaksia ka dërguar pyetje në drejtim të Komunës, por deri në publikim të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.