Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Jeton Demi, ka mirëpritur vendimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti që të mos lejohen tubimet elektorale brenda objekteve shkollore.
Demi ka thënë se ishte shqetësim i prindërve, drejtorëve, pasi kishte kërkesa për mbajtje të tubimeve elektorale.
“Duke marrë parasysh se mezi u hapën shkollat, u shty e u stërshtyrë mësimi, tubimet e tilla mund të ndikojnë në përhapje të virusit, infektim të fëmijëve e stafit e mund të ketë mbyllje të shkollave. E vlerësojmë dhe çmojmë vendimin e kryetarit që e mbylli mundësinë që të mbahen tubime nëpër shkolla”, ka thënë Demi në emisionin Sot në KTV.
Ai ka thënë se prindërit kanë marrë informata nga drejtorët e shkollave për kërkesa të partive për të organizuar tubime dhe menjëherë kanë reaguar.
Demi ka thënë se edhe ashtu shkollat janë të stërngarkuara, dhe disa po punojnë deri në 6 pasdite. Ndërsa sa i përket organizimit të tubimeve në oborre të shkollave, ka thënë se nuk mund të kundërshtojnë çdo gjë, por me rëndësi është të mos ketë organizime brenda objekteve shkollore.
Ai ka thënë se nuk mund të përjashtohet që ndonjë drejtor, që anon nga ndonjë parti, të hapë shkollën për tubime, porse menjëherë do të reagohet, dhe pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, kjo do të përbënte shkelje.
Sa i përket mësimit, ai ka thënë se duhet ende kohë derisa t’i kthehet normalitetit.
“Kthimi i plotë në shkolla paraqet rrezikshmëri të lartë, veçanërisht po flas për qendër të Prishtinës, ku kemi klasë me 40 e më tepër fëmijë, rrezikshmëria është e lartë. A qëndrove 30 apo 45 minuta është diskutabile, por rrezikshmëria është e lartë. Si masë parandaluese është distanca dhe qëndrimi më i shkurtër. Edhe në kushte normale një pjesë e shkollave të Prishtinës e ka të vështirë e punon me dy ndërrime, e tash po punohet me katër ndërrime. Andaj është e vështirë të presim edhe për disa javë apo muaj që të kthehet normaliteti, meqë janë shfaqur rastet e para të infektimeve të fëmijëve”, ka thënë Demi.