Është lagjja më e shtrenjtë në Prishtinë dhe tashmë është mbushur me ndërtesa të larta.
Mes tyre ndodhen edhe zyrat qendrore të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Nga objekti njëkatësh e i vjetër, ndërmarrja publike po synon të ndërtojë një ndërtesë të lartë, sikurse fqinjët pranë e përballë.
Thirrja për bashkë-investim potencial ka zgjatur vetëm dy ditë dhe kjo ka ngritur dyshime tek opozita. Komuna dhe Ndërmarrja po akuzohen se këtë projekt po e mbajnë të fshehur nga publiku.
Kryeshefi Hajdar Hoxha në një prononcim për KTV-në ka dhënë pak informata për projektin. Ai ka thënë se do të trefishohet vlera e pasurisë ekzistuese.
“Ndërmarrja participon me pronën dhe mbi këtë parim do të marrim përqindjen tonë që na takon. Rregullorja është akt valid e juridik, kufiri minimal është 35 për qind, ndër 35 për qind nuk mund të shkojë tutje procesi që i bie që çdo ofertë duhet të jetë dhe është mbi 35 për qind.”
Synimi i përfitimit të tyre është më shumë në afarizëm.
“Ndërmarrja është më shumë e fokusuar në afarizëm meqenëse aktivitetin e primat të vetin e ka edhe dhënien e lokaleve me qira, por do të synojmë të rrisim numrin e lokaleve apo metrin katror që do të shfrytëzojë për qira. Me planin urbanistik koeficienti është 50- 50, afarizëm-banim”
Kjo çështje është diskutuar edhe në Kuvendin Komunal ku përgjegjësi kërkoi këshilltari komunal i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.
“Ne kemi kërkuar sqarime në seancën e fundit, mirëpo injorimi i përgjigjeve ndodhi nga aksionarët. I gjithë ky hezitim i dhënies së informacioneve na bëjnë të dyshojmë se aty po zhvillohet një projekt që në start ka shumë tendenca të jetë një aferë korruptive.”
Vetë kryetari Shpend Ahmeti është distancuar nga projekti.
Aksionari në NPB, i cili është drejtor i Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj, thotë se reagime të tilla po ndodhin për shkak të suksesit që ka ky projekt.
“Ajo që mund të them është se Lëvizja Vetëvendosje edhe në Mitrovicë ku qeveris, por edhe në Prizren, i ka dy marrëveshje të tilla ku ka dhënë pronën publike komunale me këtë përqindje. Është e pakuptueshme prej anës së tyre. Përqindja nuk është 30 për qind është më e lartë që kanë arritur prona të tjera private.”
Sipas Kukajt, vlera e asaj prone është rreth 20 milionë euro, ndërsa përfitimet do t’i kenë afër 60 milionë euro.