Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), do të paraqesë padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës në lidhje me lejen mjedisore të lëshuar për ndërtimin e “Parkut të Avneturave” në Gërmi.
Kjo organizatë, për këtë çështje do të mbajë edhe një konferencë për media sot.
“Komuna e Prishtinës ka lëshuar Leje Mjedisore Komunale për ndërtimin dhe realizimin e projektit ‘Parku i Aventurave’ në kuadër të ‘Peisazhit të Mbrojtur Gërmia’. Sipas Institutit për Mbrojtjen e Natyrës ky lokacion është zona më e pasur dhe më e rëndësishme e biodiversitetit në Peisazhin e Mbrojtur të Gërmisë. Po ashtu, në këtë zonë gjenden pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në Kosovë. GLPS dhe Qytetarë Aktivë konsiderojnë që ky vendim është në kundërshtim me ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.
Sipas komunikatës, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje për një projekt të rëndësishëm për qytetarët dhe natyrën.
“Në padi, GLPS dhe Qytetarë Aktivë kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen meritore të rastit dhe në fund të anulojë vendimin e Komunës së Prishtinës”, thuhet tutje në komunikatë.