Luftarake

Vazhdojnë garat e top-xhudistëve, te Kosova emra që priten të konfirmohen

xhudo

Mbi 300 xhudistë nga 40 shtete do të paraqiten në garën Grand Prix, që prej të premtes deri të dielën mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Është kjo gara e parë e Turit Botëror të Xhudos pas Lojërave Olimpike “Parisi 2024”. Pjesë e Turit Botëror janë garat më të mëdha të xhudos, ku përfshihen edhe turnetë Grand Slam e Grand Prix.

Pjesë e rregullt e këtyre garave është Kosova.

Në Zagreb, Kosova nuk paraqitet me xhudistët më të mirë. Pas Lojërave Olimpike të Parisit, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu e Akil Gjakova kishin pushim më të gjatë. Ata janë kthyer në stërvitje vetëm në fillim të shtatorit dhe nuk pritet të garojnë menjëherë.

Por punën e madhe në stërvitje e kanë vazhduar të tjerët. Provë të rëndësishme në Zagreb do të kenë Erza Muminoviqi, Flaka Loxha e Dardan Cena. Erza garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka në kategorinë deri në 57 kilogramë, ndërsa Dardani në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Erza e Flaka garojnë të premten, ndërsa Dardani të shtunën.

Këta xhudistë kanë pasur suksese të kohëpaskohshme edhe në nivelin senior. Tani ka ardhur koha që të stabilizohen në nivelin e të rriturve me paraqitje të dinjitetshme. Për ekipin e Kosovës në xhudo "paraqitje e dinjitetshme” nënkupton përfshirjen në luftë për medalje në të gjitha garat e mëdha.

“Është koha që edhe këta tre xhudistë të dëshmojnë veten dhe punën e madhe që është bërë me ta. Konkurrenca në Zagreb është e madhe, por koha është që këta tre të marrin përgjegjësi dhe të prezantohen rregullisht në nivelin që tashmë e ka ekipi ynë”, ka thënë Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.

Flaka Loxha, Erza Muminoviqi e Dardan Cena vlerësohen shpresë e madhe e Kosovës për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. Por të tre i pret konkurrencë e madhe edhe brenda ekipit për kualifikim në Olimpiadë.

Në Lojërat e Parisit, në kategorinë deri në 52 kilogramë është paraqitur Distria Krasniqi. Në kategorinë deri në 57 kilogramë është paraqitur Nora Gjakova, ndërsa në kategorinë deri në 73 kilogramë garoi Akil Gjakova. Të tre i janë kthyer punës në palestër dhe pritet të konkurrojnë edhe për një olimpiadë.

Lojërat e ardhshme janë shumë larg megjithatë. Deri atëherë ka shumë Botërorë, shumë Evropianë dhe shumë ngjarje të Turit Botëror. Shumë medalje priten për Kosovën, ndër të tjera edhe nga Loxha, Muminoviq e Cena.

Në Paris, Kosova i fitoi dy medalje. Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë ndërsa Laura Fazliu të bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Akil Gjakova u paraqit shumë mirë, por mbeti pa medalje duke u renditur i pesti. Nora Gjakova e Loriana Kuka mbetën pa plasman. Loriana i ka dhënë fund karrierës ndërsa të tjerët vazhdojnë.