Muajin e kaluar pas një meçi spektakolar në Riad të Arabisë Saudite, boksieri ukrainas, Oleksandr Usyk, fitoi ndaj britanikut Tyson Fury me vendim unanim të gjyqtarëve.
Mbeti kampion i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist.
Ai e di se karriera si boksier është afër fundit, por ka thënë se me sport do të vazhdojë, por kësaj radhe jashtë ringut.
“Unë jam futbollist profesionist. Kam kontratë me skuadrën ukrainase, Polissya”, ka thënë boksieri ukrainas, shkruan të mërkurën mediumi kroat “Index.hr”.
“Ata luajnë në ligën e parë. A keni dëgjuar ndonjëherë për Shakhtarin? Atëherë, Polissya së fundmi e ka mposhtur. Unë e përkrah Dinamo Kievin. Babai më merrte nëpër ndeshje, por i kam dhënë fjalën Polissyas”, ka deklaruar 37-vjeçari.
Usyku ka luajtur për Polissyan në një ndeshje miqësore në vitin 2022.
Nga ajo kohë, i kishte premtuar skuadrës se nëse arrin që ta sigurojë elitën e futbollit ukrainas, do të luajë për ta kur të largohet nga ringu i boksit.
Boksieri një gjë të tillë tashmë e ka konfirmuar.
Polissya në elitën e futbollit ukrainas aktualisht zë vendin e pestë me 27 pikë.