Pas luftës së fortë përgjatë 24 raundeve dhe pa nevojë për një meç të tretë pas fitores tjetër të Oleksandr Usykut, Tyson Fury u përkul dhe puthi rivalin e tij në kokë, ndërsa kampioni i kategorisë së rëndë po festonte.
Të shtunën mbrëma në Riad të Arabisë Saudite, fitorja e ukrainasit Usyk ishte edhe më bindëse se ajo që e arriti në muajin maj po në kryeqendrën arabe. Meçi shkoi në 12 raunde, njëjtë si meçi i parë mes dy yjeve të kategorisë së rëndë të boksit profesionist.
Respekti i ndërsjellë nuk është befasues nëse merret për bazë se sa rraskapitëse ishin këto dy meçe. Meçi i së shtunës mbrëma ishte me vlerë shumë të madhe. Fury bëri përpjekje për të rikthyer titujt e botës në kategorinë e rëndë. Usyk për të mbajtur brezat e vlefshëm. Dhe ishte Usyk që la ringun si kampion.
Në maj, Usyku i unifikoi titujt e botës në kategorinë e rëndë. Rimeçi do të thoshte edhe më shumë. Me fitore Usyku çimentoi statusi si boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë në gjeneratën e tij. Usyk është boksieri më i mirë i kategorisë kryesore në boks që kur Lenox Lewis u pensionua në vitin 2004 dhe tashmë prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërave.

Kur Usyku fitoi titullin e Evropës në vitin 2008 në boksin amator, ai ishte boksier i kategorisë gjysmë të rëndë. Atë kohë ukrainasi tjetër, Wladimir Klitschko ishte kampion botëror në kategorinë e rëndë në profesionalizëm.
Katër vjet më pas Usyku e fitoi të artën olimpike në “Londra 2012” në kategorinë e rëndë, derisa Anthony Joshua e fitoi të artën në kategorinë super të rëndë.
Disa vite më pas, tani si profesionist, Usyku e dominoi kategorinë kruzer për t’u bërë kampion i padiskutueshëm. Ndërkohë e mposhti dy herë Joshuan rrugës drejt unifikimit të titujve në kategorinë e rëndë.
Titujt e gjitha versioneve të mëdha të boksit, Usyku i fitoi në maj, kur e mposhti Furyn me vendim të ndarë të gjyqtarëve. Në atë luftë ukrainasi ishte afër që ta ndalte britanikun në raundin e nëntë, kur i dha 14 goditje rresht.
Shtatë muaj më pas nuk kishte asi momenti kritik në ring. Asnjëri boksier nuk ishte në telashe serioze. Ndonëse meçi ishte interesant, nuk ishte dramatik as për së afërmi sa meçi i parë Usyk – Fury.
Ndonëse nuk kishte nokdaunë, fitorja e Usykut nuk ishte asnjëherë në dyshim. Ai fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve. Të tre gjyqtarët afër ringut e vlerësuan luftën me rezultat 116:112 në të mirë të ukrainasit.
“E respektoj shumë këtë djalosh sepse mendoj se është shumë i fortë”, ka thënë Usyk për ESPN.
“Tyson Fury më bën të fortë. Tysoni është kundërshtar i shkëlqyer. Njeri i madh. Është njeri i mirë. Tysoni flet shumë, por është vetëm shfaqje”, ka vazhduar Usyku, që tani ka 23 fitore në karrierën profesionale, prej tyre 14 me ndërprerje. 37-vjeçari nuk ka ende barazime e humbje.
Fury është shprehur i bindur se ai e ka merituar fitoren. Kur u pyet se a ka ndier shpirtin e Usykut në luftë, Fury u përgjigj: “Po, shpirtin e Krishtlindjes, ai pranoi dhuratë për Krishtlindje”.
Usyku pranoi se kjo luftë ishte më e lehtë se e para.
36-vjeçari Fury boksoi mirë. Por me kalimin e kohës, si në luftën e parë, paraqitja e tij u zbeh. Ai humbi raundet gjashtë, shtatë, tetë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë, sipas të tre gjyqtarëve.
“Kur nuk e nokauton, kjo mund të ndodhë”, ka vazhduar Fury. “Kam bërë më të mirën të mundshme. Nëse do të mund të bëja më shumë, do ta bëja”.
Usyku nuk ka lënë dyshime se ishte boksier më i mirë, ndonëse shumë raunde ishin të përafërt. Një luftë e tretë mes tyre nuk është e domosdoshme.
Dy anëtarët e ardhshëm të “Hollit të të Famshmëve” kanë luftuar plot 24 raunde dhe Usyk ka dëshmuar se ishte më i mirë, ndonëse kishte dhjetëra kilogramë më pak dhe është dukshëm më i shkurtër se Fury.
Usyku do të vazhdojë të boksojë, natyrisht. Janë dhjetëra miliona të tjerë për të fituar, derisa fama e tij vazhdon të rritet. Ai po ashtu dëshiron të sjellë më shumë vëmendje, por edhe krenari, për Ukrainën në luftë.
Daniel Dubois, të cilin Usyku e mposhti në gusht të vitit 2023 në Poloni, e ndërpreu fjalimin e ukrainasit pas meçit, duke kërkuar revansh.
“E dua revanshin tim”, tha Dubois, që mori titullin IBF që e liroi Usyku në qershor. Dubois e mposhti Joshuan me nokaut në shtator.
Usyk u përgjigj shpejt duke thënë se është i gatshëm për rimeç. Por lufta me Dubois nuk do të ishte e nivelit që ka arritur Usyku pas dy fitoreve ndaj Furyt, një prej yjeve të sportit. Dueli i parë me Dubois nuk ishte shumë garues.
Por më pas anglezi Dubois rreshtoi tri fitore, ndaj Jarrell Miller, Filip Hrgoviq e Joshuas.
Dubois ka një sfidë serioze para vetes. Do të përballet me Joseph Parker më 22 shkurt në Riad.
Dhe me Joshuan e Furyn tashmë të kaluar, nuk ka një luftë të madhe në horizont për Usykun.
Ndërkohë Fury mund të përballet me Joshuan, si dy humbës nga ukrainasi. Një luftë e dy të mëdhenjve nga Britania e Madhe ka kohë që pritet.
Por të dy do të mbeten prapa Usykut, pavarësisht nëse fitojnë apo jo.