Trajneri Driton Kuka - fitues i pesë medaljeve olimpike, prej tyre tri të arta - ka kërkuar përgjegjësi nga federatat sportive të vendit në kohën kur një pjesë e tyre kanë nisur procesin zgjedhor.
Shumë prej drejtuesve të federatave sportive, por edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës, fokusin e kanë se si të sigurojnë edhe një mandat në krye. Ndërkohë që përgjegjësia për dështimet nuk merret asnjëherë. Madje në të shumtën e rasteve as që paraqiten rezultatet në garat serioze ndërkombëtare, ku sportistët e Kosovës kryesisht ndalen në përballjet e para, apo kanë rezultat inferior.
Kryemjeshtri Kuka, që është trajneri dukshëm më i suksesshëm shqiptar dhe njëri prej trajnerëve më të mirë të xhudos në botë, kërkon që qasja aktuale të ndryshojë. Ai kërkon përgjegjësi më të madhe edhe nga shteti.
“Është koha e fundit që shteti të krijojë mekanizma për përgjegjësi për federatat e klubet që po marrin financa goxha të mira, kurse përgjegjësi për rezultatet po kërkohet fare pak, ose aspak. Lojërat Olimpike morën fund dhe shumica e federatave, apo krerët e federatave, nuk po e marrin mundin të flasin për arsyet pse as norma olimpike nuk mund të arrihen e lëre më medalje”, ka shkruar Kuka në një postim në rrjetet sociale.
Ekipi i Kosovës në xhudo, që drejtohet nga Kuka, është prej më të mirëve në botë. Në dy Olimpiadat e fundit Kosova i kishte nga pesë norma në xhudo. Në Tokio në vitin 2021, medalje të arta olimpike fituan Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Në Paris 2024, Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë, Laura Fazliu të bronztë, ndërsa Akil Gjakova u rendit i pesti. Me normë garuan edhe Nora Gjakova e Loriana Kuka. Me normë në Paris ishte vetëm edhe boksierja Donjeta Sadiku.
Por askush nuk foli për mossuksesin në sportet e tjera. Njëjtë si pas “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”, të gjithë, duke përfshirë KOK-un e MKRS-në, “u fshehën” pas medaljeve dhe suksesit të xhudos.
Xhudistët kanë bërë që rejtingu i sportit kosovar të jetë goxha i lartë. Investimet po ashtu. Por trajneri Kuka kërkon përgjegjësi nga të gjithë të përfshirët. Kërkon që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të kërkojë përgjegjësi nga drejtuesit sportivë.
“Ministria e Sportit të krijojë mekanizma për përgjegjësi, të merret si model ndonjë shtet. Në Gjermani, për shembull, kandidati për kryetar të ndonjë federate kandidon me program e cak që e prezanton te shteti. Nëse nuk e arrin cakun, ai nuk do të kandidojë më, pasi shteti nuk i financon ata që nuk kanë sukses”, ka vazhduar shkrimin Driton Kuka.
Në Kosovë është ndryshe. Njerëz të njëjtë udhëheqin me federata ndonëse ato federata nuk kanë gati asnjë sukses. Shumë vjet janë arsyetuar me izolim e pas pranimit ndërkombëtar nuk deklarohen fare. Madje nuk i publikojnë as rezultatet e garat ku marrin pjesë. Edhe numri i sportistëve në shumicën e federatave ka rënë ndjeshëm, sidomos në nivelin e të rriturve, ndërkohë që financimi nga buxheti i shtetit vlerësohet se nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Por pak prej mjeteve, kryesisht ato nga ligji për sponsorime, vlerësohet se përfundojnë te sportisti kosovar.
Dy federata të mëdha tashmë kanë mbajtur kuvendet zgjedhore, ndërsa në federatat e tjera e sidomos në KOK, tema kryesore është procesi zgjedhor. Përgjegjësi për rezultate nuk ka kërkuar e vazhdon të mos kërkojë askush.