Luftarake

Tkurret ekipi olimpik i Kosovës, xhudoja e pakonkurrencë

Distria Krasniqi

Xhudoja kosovare i ka siguruar plot pesë norma olimpike, por në përgjithësi ekipi olimpik i Kosovës është zvogëluar në krahasim me Olimpiadën e kaluar.

Derisa në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021, Kosova i kishte 11 sportistë, në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” do të jenë nëntë sportistë përfaqësueses të Kosovës.

Synimi ishte që numri i olimpistëve të rritej për disa nga Tokio në Paris. Jo vetëm që nuk ka ndodhur kjo, por numri i sportistëve pjesëmarrës zvogëlohet.

Kjo vlerësohet si dëshmi që sporti në Kosovë nuk është zhvilluar si duhet mes dy edicioneve të Lojërave Olimpike. Shumë njohës të sportit, forcën e një shteti në sport e matin me numrin e normave olimpike të fituara. 

Në Kosovë investohen shuma të mëdha në sport, por rezultate në shumicën e disiplinave sportive ende mungojnë. Mungesa e normave e përshkruan më së miri këtë.

Në Tokio ishin gjashtë sportistë të Kosovës me normë olimpike. Pesë prej tyre ishin xhudistë, ndërsa Distria Krasniqi e Nora Gjakova fituan medalje të arta. Në Paris sërish do të jenë gjashtë sportistë me normë. Dhe sërish pesë prej tyre janë xhudistë: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka. Normë ka fituar vetëm edhe boksierja Donjeta Sadiku.

Në Tokio pos pesë xhudistëve, me normë ishte vetëm edhe mundësi Egzon Shala. Atij i ishte ndarë norma pas diskualifikimit të dy mundësve të kategorisë deri 125 kilogramë për shkak të shkeljes së rregullave të antidopingut.

Pos gjashtë sportistëve me normë, Kosova në Paris do të ketë edhe tre sportistë që marrin pjesë me ftesë. Pjesëmarrja me ftesë dallon shumë nga ajo me normë. Pjesëmarrja me ftesë shihet edhe si dëshmi që sportisti nuk ka gjasa për sukses. Sukses është vetë pjesëmarrja dhe klasifikimi i sportistit në mesin e “olimpistëve”.

Në bazë të parimit të universalitetit, Kosovën në “Parisi 2024” do ta përfaqësojnë dy notarë. Nga një notar dhe një notare i kanë të garantuar të gjitha delegacionet. Gara e tyre përfundon shpejt, në mëngjesin e ndonjërës prej ditëve kur mbahen aktivitetet e notit. 

Po për universalitet, pjesëmarrës do të jetë edhe një atlet apo atlete nga Kosova. Edhe pjesëmarrja në atletikë do të jetë më shumë formalitet.

Për dallim nga “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”, Kosova nuk do të ketë ftesa nga komisioni trepalësh. Dhe për këtë arsye numri i sportistëve pjesëmarrës do të jetë më i vogël.

Për një vend që i siguron gjashtë norma, pesë prej tyre nga i njëjti sport, anulimi i ftesave nga komisioni trepalësh është i arsyeshëm. Nëse mund të sigurohen pesë norma në xhudo, ato mund të sigurohen edhe në sporte të tjera. Dhe mungesa e normave dëshmon që në sportet e tjera nuk është punuar si duhet, ndonëse modelin e kishin në shtëpi.

Komisionin trepalësh e përbëjnë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Nacionale dhe Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare që janë në programin olimpik veror. 

“Pasi mesatarja e sportistëve pjesëmarrës të Kosovës në dy edicionet e kaluara të Lojërave Olimpike është mbi tetë, përkatësisht është 9,5, komisioni trepalësh nuk ndan ftesa për Kosovën. Ftesat e këtij komisioni po ashtu bazohen në përfaqësim universal dhe nuk parashikohen për vendet që i kanë mbi tetë sportistë mesatarisht në Lojëra Olimpike”, kanë thënë nga Komiteti Olimpik i Kosovës për KOHËN.

Në “Rio 2016”, Kosova u paraqit me tetë sportistë, ndërsa medalje ari fitoi Majlinda Kelmendi. Për Kosovën ishte debutim në Lojëra Olimpike. Çiklisti Qëndrim Guri dhe shenjëtarja Urata Roma ishin në “Rio 2016” me ftesë të komisionit trepalësh.

Në Tokio me ftesë nga komisioni trepalësh ishin boksierja Donjeta Sadiku dhe shenjëtari Drilon Ibrahimi.

Në fazën finale të periudhës kualifikuese për “Parisi 2024” është rikonfirmuar se hendeku mes xhudos dhe sporteve të tjera në vend sa shkon e rritet. Derisa xhudoja sërish i ka pesë norma, në të gjitha sportet e tjera është vetëm një normë olimpike. Rrjedhimisht edhe në Paris, njëjtë si në Rio e në Tokio, medalja pritet nga xhudistët. Gjasat i ka edhe boksierja Donjeta Sadiku.

“Të gjithë xhudistët tanë janë me potencial për medalje. Por në Lojëra Olimpike konkurrenca është e jashtëzakonshme. Vendet e ndryshme investojnë dhjetëra miliona për një medalje olimpike. Ndonëse kemi pesë xhudistë me potencial, ne do të ishim të kënaqur me një medalje në Lojërat e Parisit”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Kuka dhe xhudistët e tij tashmë kanë nisur me përgatitjet finale për Lojëra Olimpike. Xhudistët janë në një kamp në Slloveni, ku fokusi është te krijimi i bazës së duhur fizike për Lojërat e Parisit. Kuka i është përmbajtur programit që i solli tri medalje të arta olimpike deri më tani, duke e përshtatur atë me rrethanat e reja. Dhe gjasat janë të mira që ai dhe ekipi i Kosovës në xhudo të kthehen si triumfues nga kryeqendra franceze.

Lojërat Olimpike “Parisi 2024” mbahen prej 26 korrikut deri më 11 gusht. 10 mijë e 500 sportistë do të marrin pjesë në ngjarjen kryesore sportive.