Salla e boksit në bodrumin e një hoteli në qendër të Prishtinës ku Donjeta Sadiku kalon një kohë të konsiderueshme duke ushtruar, ishte e zënë të mërkurën mbrëma. Disa të rinj po zhvillonin stërvitje të rregullta, ndërsa afër tyre po qëndronte trajnerja e Donjetës, Marjola Sallauka. “Donjeta e ka këto ditë pushim”, thotë Sallauka për KOHËN.
Më pas vazhdon . “E ka merituar”, thekson ajo duke iu referuar medaljes së artë të fituar nga Donjeta në turneun më të vjetër të boksit amator në Evropë “Strangja” në Sofje të Bullgarisë.
Medalja e Donjetës, Bashkim Bajokut dhe Loris Idrizi janë të parat pas më shumë se 40 vjetësh në turneun ndërkombëtar “Strangja”.
Sadiku 25-vjeçare i gëzohet suksesit në Bullgari.
“Kam marrë pjesë gjashtë vjet rresht. Dy vjetët e fundit në këtë turne jam dëmtuar në luftë për medalje. Gjithmonë kam pasur dëshirën e zjarrtë të fitoj medalje në ‘Strangja’. Këtë dëshirë e plotësova në mënyrën më të mirë duke e fituar të artën dhe dola si boksierja e dytë më e mirë e turneut. Kjo medalje ka rëndësi të madhe, jo vetëm në karrierë, por më ka dhënë një shtytje të madhe drejt synimeve të ardhshme”, ka thënë Sadiku për KOHËN të enjten.

Por për Donjetën mbetet viti 2022 më i suksesshmi në karrierë. Ajo fitoi medalje të bronztë evropiane e botërore. Më pas nuk pati mundësi të paraqitej në ngjarjet globale dhe rrjedhimisht edhe humbi mundësinë për të fituar të tjera medalje.
“Jam dëmtuar shumë gjatë karrierës për shkak të politikës. Në vitin 2023 dhe 2024 kampionatet botërore e ato evropiane u organizuan në vende të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit, që kampionati Botëror po organizohet në Serbi. Për mua është shumë e rëndë, pasi që disa vite po më mohohen medaljet të cilat e them me bindje të plotë që do t’ia kisha siguruar shtetit të Kosovës, ashtu siç kam bërë në vitet kur më është lejuar pjesëmarrja në këto kampionate”, ka thënë Sadiku.
Boksieres së kategorisë deri 60 kilogramë iu mohua pjesëmarrja në Botërorin që u mbajt në mars në Indi dhe Evropiani në prill të vitit të kaluar në Serbi.
Në Serbi, përkatësisht në Nish, nga e shtuna deri më 16 mars mbahet Botërori i boksit për boksiere. Por Donjeta nuk do të marrë pjesë, pasi ngjarja organizohet nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA).
Federata e Boksit e Kosovës, është larguar nga IBA dhe është anëtarësuar në “World Boxing”. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka dhënë njohje të përkohshme “World Boxingut”.
“Unë shpresoj shumë që mos i kem më këto probleme që kam pasur më parë në ngjarjet që do t’i organizoj federata e re botërore ‘World Boxing’. Mendoj që Federata e Boksit të Kosovës gjithmonë merr vendime që janë në dobi të boksierëve dhe patjetër që besoj se ky vendim ishte i duhuri që ne boksierët të mund të ndjekim ëndrrën olimpike”, thotë boksierja e klubit të boksit Uniteti.
Sadiku tregon për planet që ka gjatë vitit.
“Planet janë të ndjekim disa nga turnetë më të fortë në botë të cilat janë në kalendarin e federatës botërore me qëllimin kryesore medaljen në Botërorin që do të mbahet në Liverpool në muajin shtator. Po ashtu shpresoj që të kemi edhe kampionat evropian këtë vit me federatën e re botërore”, ka thënë Sadiku.
Donjeta gradualisht po e kthen lavdinë e boksit kosovar, që e kishte me gjeneratën e artë të Prishtinës. Ishte pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, që u mbajtën në Tokio dhe së fundi në Paris në vitin 2024. Por në dy olimpiadat nuk pati sukses. Megjithatë, ajo nuk ka hequr dorë nga synimi për të fituar medalje olimpike. Olimpiada e radhës është në vitin 2028 në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Unë besoj se boksi duhet patjetër të jetë pjesë e Lojërave Olimpike, si sporti më i vjetër në histori dhe më i popullarizuari në botë. Duhet të ketë vendin e tij në Lojërat Olimpike. Unë nuk do të ndalem së punuari drejt realizimit të ëndrrës time – medaljes Olimpike. Besoj fuqishëm në realizimin e ëndrrës”, ka thënë Sadiku.
Boksi amator njihet ndryshe edhe si boksi olimpik. Dhe pa pjesëmarrje në Lojëra Olimpike do të zbehej shumë. Kosova në dy Olimpiadat e kaluara është prezantuar me Donjeta Sadikun. Ka shpresë se ndonjë boksier kosovar do të kualifikohet edhe për “Los Angeles 2028”. Për shkak të largimit nga IBA-ja, Kosova do të mbetet jashtë ngjarjeve që i organizon kjo organizatë, ndër të tjera, edhe nga Botërori e Evropiani. Por është çmim që duhej paguar për të ruajtur raportet me IOC-në dhe për të kontribuuar që boksi të mbetet sport olimpik.