Karateisti kosovar që përfaqëson Shqipërinë, Orges Arifi, është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Zarë të Kroacisë. Arifi i kategorisë deri 60 kilogramë e fitoi luftën e parë ndaj zviceranit Erik Timmer. Bindës ishte edhe ndaj turkut Eray Samdan në raundin e dytë, kurse në të tretin mposhti karateistin çek, Martin Drabek.
Edhe në luftën e katërt doli më i suksesshëm se një karateist nga Azerbajxhani.
Me kalimin në finale të Evropianit, Arifi ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë.
Në finale do të përballet me kampionin aktual të botës në kategorinë deri 60 kilogramë, grekun Xenos Christos-Stefanos.
Ndërkohë Kosova e ka shënuar fitore në raundin e parë në garat ekipore te meshkujt. Kosova mposhti Irlandën, kurse të premten ballafaqohet me Francën.