Luftarake

Mundja prezantohet nëpër shkolla me synim të rritjes së numrit të garuesve

Mundje

Mundja kosovare ka potencial për suksese ndërkombëtare. Por sukseset ende duken të largëta. Këtë e pranojnë edhe në Federatën e Mundjes së Kosovës. Nuk e fshehin se ky sport, dikur me nam në Kosovë, vuan nga mungesa e masivitetit.

Për të kthyer namin dhe masivitetin, Federata e Mundjes e Kosovës ka vazhduar me projektin “Praktiko mundje - respekto traditën”. Një hap para është bërë tashmë. Projekti ka të bëjë me prezantimin e sportit të mundjes para nxënësve të shkollave fillore.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës, Genci Fazlija, thotë se disa të rinj tashmë janë bërë pjesë e klubeve falë këtij projekti.

“Mbetet ta shohim efektin e këtij projekti. Si fillim është pozitiv. Ka lëvizje para. Por synimi është më i madh”, ka thënë Fazlija të mërkurën për KOHËN.

Ai thotë se qëllimi i madh i Federatës është masiviteti dhe rezultatet nga ngjarjet globale.

“Qëllimi i parë është masiviteti i këtij sporti, sepse nuk kemi shumë fëmijë që merren me sportin e mundjes. Por përmes këtij projekti kemi për qëllim t’i nxitim sa më shumë të rinjtë të merren me sportin e mundjes. Klubet kanë pasur për synim që të përzgjedhin 100 nxënës nga secila shkollë dhe nëpërmjet mundësve dhe trajnerëve të tyre t’u tregojnë dhe t’u mundësojnë t’i shohin praktikat e punës. Ua kemi bërë të qartë nxënësve që stërvitjet i kanë pa pagesë”, ka theksuar Fazlija.

Faza e parë përfundon të enjten, ndërsa faza e dytë mbahet nga shtatori. Shpenzimet e projektit janë mbuluar nga memorandumi i nënshkruar në mes të Federatës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Prezantimin disaditor të sportit të mundjes në disa nga shkollat e qyteteve të ndryshme e bënë mundësit e dhjetë klubeve.

“Faza e parë e promovimit është nëpër komunat ku kemi shtrirje me klube. Faza e parë ka kushtuar 14 mijë euro, kurse e dyta është në komunat ku numri i klubeve është i vogël. Pra, kemi për qëllim të shtrijmë mundjen edhe në qytete ku nuk e kanë traditë mundjen. Në shtator do të jemi në këto komuna ku ka pak shtrirje”, ka treguar Fazlija.

Ai është i bindur se mundjes kosovare do t’i kthehet shkëlqimi.

“Programi ka të bëjë me moshat 11 dhe 12-vjeçare. Është pritur mirë. Interesimi është rritur dhe tashmë kanë nisur t’u drejtohen klubeve, sidomos në Han të Elezit, Prishtinë, Skenderaj. Kjo neve na gëzon shumë dhe besoj se do vazhdojmë me programe të tilla edhe në të ardhmen”.

Në federatë të mundjes vlerësojnë se kanë një gjeneratë premtuese nëpër disa klube.

“Po punohet me gjeneratën prej 17 deri 20-vjeçare. Momentalisht nuk jemi mirë sa i përket pritjeve dhe sukseseve. Për Ballkan mund të marrim medalje, por për ngjarje të tjera duhet të presim. Nëse arrijmë t’i ruajmë garuesit e moshës 17-20 vjeç kemi shpresë që në Los Angeles do të shkojmë me normë”, ka thënë Fazlija.

Federata e Mundjes e Kosovës së fundi ka pranuar tri klube të reja. Por numri vazhdon të jetë i vogël, si i klubeve ashtu edhe i mundësve.

Shtrirje nëpër shkolla përmes projekteve të ndryshme kanë edhe xhudoja, basketbolli e shahu.