Xhudoja sllovene është shumë e respektuar në Evropë, por edhe në gjithë botën. Dhe kjo më së shumti është meritë e trajnerit me përvojë, Marjan Fabjan. Urshka Zholnir, Petra Nareks, Lucija Polavder, Rok Drakshiq, Tina Trstenjak e Ana Velenshek janë prej xhudistëve që i ka stërvitur dhe i ka ngritur 66-vjeçari Fabjan. Si trajner, Fabjan ka medalje olimpike, duke përfshirë të arta, medalje botërore e medalje evropiane.
Është trajneri i huaj prej të cilit ka mësuar më së shumti kryemjeshtri Driton Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo. Kuka tashmë e ka kaluar me suksese Fabjanin, por vazhdon të ketë shumë respekt për teknikun slloven. Dhe bashkëpunimi mes tyre është shembullor.
Ekipi i Kosovës në xhudo viziton rregullisht, disa herë në vit, Slloveninë, përkatësisht klubin e Fabjanit. Ndërkohë edhe xhudistët sllovenë janë thuajse të rregullt në kampet e organizimet në Kosovë. Fabjan udhëton më pak, por këtë javë ishte në kampin e mbajtur në Pejë.
Pos xhudistëve nga Sllovenia pjesë e kampit ishin edhe xhudistë nga Italia, Finlanda, Çekia, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia e disa vende të tjera.
Fabjan e udhëheq një gjeneratë të re të xhudisteve, prej të cilave pret shumë.
“Është hera e pestë që jam këtu. Isha edhe në Durrës, në Shqipëri. Gjithnjë vij këtu pasi kushtet janë shumë të mira, bëhet xhudo e mirë dhe sparing i mirë. Janë të gjitha që më duhen. Natyra është e mirë, male përreth, uji i pastër. Kemi raporte shumë të mira me Tonin, pasi bashkëpunojmë për shumë e shumë vjet. Kur kam fituar medaljet e para ai ishte me mua, tani jam unë me të. I ndihmojmë njëri-tjetrit ashtu si duhet të ndihmohet”, ka thënë Marjan Fabjan në një bisedë për KOHËN.
Gjatë stërvitjeve, që drejtohen nga kryemjeshtri Kuka, Fabjan rri ulur, ndërsa përkrah i qëndron një prej bashkëpunëtorëve. Konsultohet herë pas here me trajnerin e Kosovës, por nuk ngrihet për të demonstruar apo për të këshilluar xhudistet e tij. Në fund të stërvitjes ato rreshtohen para strategut slloven që ua përcjell vërejtjet e lëvdatat.
Fabjan jo gjithnjë ka pasur përkrahjen dhe mirëkuptimin e të tjerëve në Slloveni. Ka edhe rivalë, por sukseset i ka të pakontestueshme. Ai pranon që Driton Kuka i ndihmon shumë tani.
“Në fillim, kur nuk ishin kushtet, unë i kam ndihmuar atij. Tani më ndihmon ai mua. I ndihmojmë njëri-tjetrit. I ndihmojmë në aspektin e trajnimit, në atë të garuesve, për sparing të xhudisteve. Kemi garuese në kategori thuajse të njëjta dhe kjo shërben shumë”, thotë Fabjan.
Ai ka komunikim në baza ditore me Driton Kukën. Dhe ka informata të shumta për xhudon kosovare.
“Tani po e shoh që në Kosovë po bëhet ndryshimi i gjeneratës. Ka shumë vajza të talentuara. Kam parë edhe stërvitjen e të rinjve pak dhe kam vërejtur që ka shumë garuese dhe garues të mirë. Te meshkujt po ndodh diçka e re dhe xhudoja në Kosovë nuk do të vdesë. Në Slloveni për mua është pak situatë më e vështirë, pasi e kam ndryshuar gjeneratën tre-katër vjet më parë. Duhet të punohet shumë, jam më i vjetër dhe është vështirë të udhëtohet. Është vështirë edhe të bashkëpunosh me xhudistë dhe të gjesh gjuhën e njëjtë”, thotë Marjan Fabjan.
Ai për herë të parë në Kosovë ishte disa dekada më parë. Ishte në fillim të karrierës si xhudist.
“Isha në Kosovë edhe para shumë dekadash. Kam garuar në Prishtinë në kampionatin shtetëror. Ishte kampionati i parë shtetëror për mua dhe zura vendin e dytë. E mbaj mend shumë mirë hotelin ‘Bozhur’, nuk e di as ku është, as si është, por e mbaj mend. Nuk do t’i harroj asnjëherë ato ditë”, thotë Fabjan.
Bashkëpunimi i tij me trajnerin Kuka do të vazhdojë. Rrjedhimisht edhe sukseset për të dyja ekipet.