Në Podgoricë po mbahet Kampionati Evropian i xhudos. 

Kosova në këtë Evropian përfaqësohet nga katër xhudistë. Distria Krasniqi dhe Laurine Gashi garojnë sot në kategorinë deri 52 kilogramë. Akil Gjakova e Dardan Cena garojnë të enjten në kategorinë deri 73 kilogramë. 
 

Krasniqi përballë italianes Giuffrida në finalen e madhe të Evropianit

42 min. më parë / 23 pri 2025 14:16
Distria Krasniqi

Ashtu si pritej, Distria Krasniqi do të përballet me italianen Odette Giuffrida në finalen e madhe të Kampionatit Evropian të xhudos.

Evropiani po mbahet në Podgoricë, ndërsa Krasniqi është kualifikuar në finale të kategorisë deri 52 kilogramë.

Distria është bartëse e parë dhe nuk ka pasur telashe për të siguruar luftën për të artën.

Ka shënuar tri fitore. Fillimisht e mposhti serben Milica Nikoliq. Më pas holandezen Naomi Van Krevel e në gjysmëfinale spanjollen Ariane Toro Soler.

Giuffrida është prej legjendave të kategorisë deri 52 kilogramë. Pak javë më parë ishte në një kamp në Pejë. Por nuk zhvilloi asnjë luftë më Distrinë. Këtë nuk e bën asnjëherë.

Distria e Giuffrida janë përballur plot 11 herë. Xhudistja kosovare ka shtatë fitore, ndërsa katër i ka fituar italiania. Distria në fakt kishte humbur tri luftërat e para me Giuffridan, që është kampione në fuqi e botës. Më pas e mposhti tri herë rresht, pësoi një humbje dhe sërish është në seri prej tri fitoreve.

Distria ndaj Giuffridas fitoi në finalen e Evropianit të kaluar e po ashtu në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike në Paris.

E kishte mposhtur edhe në gjysmëfinale të Evropianit 2023.

Lufta pritet të jetë e fortë.

Fitore e Distrisë me super-hedhje

1 o. më parë / 23 pri 2025 13:43
distria

Distria Krasniqi ka kaluar në gjysmëfinale të Evropianit në Podgoricë.

Distria e mposhti bindshëm holandezen Naomi Van Krevel. Ndaj saj mori shpejt pikē e mē pas fitoi me Ippon të bukur.

Distria Krasniqi mposht serben Nikoliq, arrin në çerekfinale të Evropianit

2 o. më parë / 23 pri 2025 12:22
Distria Krasniqi

Distria Krasniqi e ka mposhtur serben Milica Nikoliq në 1/8 e finales të Evropianit të xhudos që po mbahet në Podgoricë. 

Krasniqi dominoi përballjen e kategorisë deri 52 kilogramë, ndërsa Nikoliq në fund mori kartonin e kuq për shkak të një lëvizje të gabuar. Deri në momentin e asaj lëvizje Nikoliq kishte marrë dy kartonë të verdhë. 

Në çerekfinale do të përballet me holandezen Naomi van Krevel.

Në Evropian garoi edhe Laurine Gashi, e cila u eliminua në rrethin e parë. 


 

Laurine Gashi ndalet në luftën e parë

3 o. më parë / 23 pri 2025 11:18
Laurine Gashi

Laurine Gashi është ndalur në luftën e parë në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë. 

18-vjeçarja në 1/16 e finales u mposht nga portugezja Raquel Brito. 

Brito realizoi “ippon” në minutat shtesë. 

Gashi garoi në kategorinë deri 52 kilogramë.

Distria Krasniqi kundër serbes Nikoliq në 1/8 e finales

3 o. më parë / 23 pri 2025 11:08
distria

Distria Krasniqi do të përballet me xhudisten nga Serbia, Milica Nikoliq në 1/8 e finales të Kampionatit Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë. 

Krasniqi ka kaluar pa luftë në 1/8 e finales. Ndërkohë Nikoliq mposhti xhudisten ruse Karina Efimova, që u paraqit me flamur të IJF-së, në 1/16 e finales. 

Nikoliq triumfoi në minutat shtesë.