Luftarake

Laura: Medalja botërore erdhi në momentin më të mirë

Laura Majlinda

Pasi siguroi medaljen e bronztë botërore, Laura Fazliu u ndal për një moment. Emocionet e kapluan, sytë iu mbushën me lot. E përjetoi momentin dhe më pas vrapoi drejt Majlinda Kelmendit, trajneres së saj në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Abu Dabi. U përqafua fort me Majlindën, ndërsa lotët nuk i largoheshin nga sytë.

Kishte arsye të shumta për festën emocionale. Vendi i tretë në botë është suksesi më i madh në karrierën e deritashme të Laurës. Është shpagim për sakrificën e jashtëzakonshme. Ajo në moshë shumë të re u nda nga familja për të ushtruar nën urdhrat e kryemjeshtrit Driton Kuka. Dhe po ashtu medalja botërore erdhi në kthimin nga lëndimi muskulor që ia rrezikoi planet për përgatitje për Olimpiadë.

“Kisha emocione pasi e fitova medaljen botërore. Medalja erdhi në kohën më të mirë, kur më së shumti kisha nevojë. Fillimi i vitit nuk ishte i mirë për mua. Disa gara, tri-katër, nuk kanë shkuar mirë. Në garën e kaluar edhe e pësova një lëndim. Jam shqetësuar shumë pas atij lëndimi, por për fat rikuperimi shkoi si duhet. Dhe tani erdhi medalja botërore, që më ka emocionuar dhe më ka motivuar shumë”, ka thënë Laura Fazliu në një intervistë për KOHËN.

Ajo është prej xhudisteve më të mira në botë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Këtë e dëshmoi në Botëror duke mposhtur bartësen e parë dhe bartësen e dytë për të fituar medaljen e bronztë.

23-vjeçarja ishte lënduar në Grand Slamin e Tbilisit më 22 mars. U kthye të martën në Botëror dhe shkëlqeu në katër prej pesë luftërave që i kishte. Ka dhënë sinjalet se është gati për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Trajneri Driton Kuka, që nuk ishte së bashku me ekipin në Abu Dabi, është ndarë shumë i kënaqur dhe po ashtu shumë i emocionuar për suksesin e Laurës.

“Është më e mira në botë. Edhe pak gjëra dhe këtë do ta vërtetojë”, thotë Kuka.

Laura vazhdimisht shpreh falënderime për punën e Kukës dhe Majlinda Kelmendit me të. Ajo ka fituar medalje në ngjarjet më të mëdha të xhudos. Tani e ka edhe medaljen botërore. Në radhë është medalja olimpike.

Laura është e kënaqur me paraqitjen që kishte, e që u kurorëzua me medalje bronzi dhe vend në podium.

“Duke e marrë parasysh që nuk kam mundur t’i përmbahem programit 100 për qind për shkak të lëndimit, mendoj që kam pasur një paraqitje të mirë”, ka thënë Laura.

Ajo ka bërë hedhje të bukura, ka shfaqur potencialin fizik, i është përmbajtur edhe planit taktik dhe medalja ishte e pashmangshme. Vetëm në çerekfinale nuk shfaqi atë që duhej dhe kështu mbeti jashtë finales. Por reagoi si duhet dhe kjo tregon se edhe në anën mentale xhudistja kosovare ishte në nivel.

“Psiqikisht isha mirë, e vërtetë. Dhe për këtë arsye kam pritur që të fitoj medalje”, thotë ajo. “Periudha pas lëndimit ishte e vështirë, sidomos në aspektin psikik. Lëndimi më stresoi shumë, por për fat të mirë nuk ishte shumë serioz. Kështu që me terapi dhe kujdes të shtuar çdo gjë po shkon mirë”.

Botërori ishte testi i fundit dhe shumë serioz i Laurës për Lojërat Olimpike. I gjithë fokusi është te gara e xhudos në Olimpiadë.

Fakti se ka mposhtur dy bartëset e para e ka vlerën e vet.

“Kjo ma rrit vetëbesimin edhe më shumë”, thotë top-xhudistja.

Laura e di që prej saj pritet medalja olimpike. Kjo mund të sjellë presion shtesë, por edhe motiv më të madh.

“Jam duke punuar bashkë me Tonin dhe me ekipin. Shpresoj të mos kem lëndime në këta dy muaj dhe besoj që gjithçka do të shkojë siç është më së miri. Nuk ka garuese në kategori që nuk mund ta mposhti, kështu që të shohim”, thotë Laura.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka përmendur përqendrimin dhe forcën e Laurës. Janë dy prej elementeve që i duhen për synimin e madh. Është gati e sigurt që në Olimpiadë ajo do të jetë në momentin më të mirë të mundshëm. Kryemjeshtri Kuka do të kujdeset për këtë.