Në fund të korrikut të vitit të kaluar, Laura Fazliu arriti suksesin më të madh në karrierë. E fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Prej atëherë xhudistja 24-vjeçare nuk ka garuar.
Kthimin në gara do ta bëjë të shtunën në garën e nivelit Grand Prix, që mbahet në Linz të Austrisë.
Laura është bartëse e parë në kategorinë deri 63 kilogramë, por e pret rrugë jo e lehtë për vend në podium. Rivalen më të madhe mund ta ketë bartësen e dytë, çeken Renata Zachova. Ajo është kampione në fuqi e Evropës. Ka edhe shumë xhudiste të tjera që e kërkojnë suksesin në kategorinë deri 63 kilogramë. Në këtë kategori paraqiten plot 31 xhudiste, si në asnjë kategori tjetër.
Gjithsej në Grand Prix të Austrisë do të garojnë 427 xhudistë nga 52 shtete të ndryshme. Kosovën e përfaqësojnë edhe Distria Krasniqi e Laurinë Gashi. Distria e Laurina garojnë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në këtë kategori janë 22 xhudiste, ndërsa Distria është bartësja e parë.
Edhe Distria pushoi gjatë pas Lojërave Olimpike të Parisit. U kthye në fillim të shkurtit, kur fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin e Parisit. Do të ishte befasi nëse Distria nuk zë vend në podium.
Ndërkohë për 18-vjeçaren Laurina Gashi gara në Austri shërben për të fituar përvojë. Për të është gara e parë serioze në nivelin e të rriturave. Ajo kishte suksese në nivelin e kadeteve, kurse tashmë fillon me përvojë në nivelin senior.
Distria e Laurina garojnë të shtunën. Garat Grand Prix janë prej më të vlerësuave në xhudo. Janë pjesë e Turit Botëror.