Luftarake

Kthim “i artë” i Nora Gjakovës

Nora Gjakova

Nora Gjakova është kthyer me sukses nga lëndimi që e mbajti jashtë garave të xhudos që nga 16 shkurti. Nora garoi në “Lima Panamerican Open” në Perunë e largët. Gara nuk ishte e nivelit që e ka Nora si xhudiste, por megjithatë ishte shumë e rëndësishme për të.

Ajo shënoi dy fitore dhe fitoi medaljen e artë.

Pos që pati një test, ndonëse të lehtë, para Lojërave Olimpike, Nora me suksesin në Peru ka siguruar ngjitjen për një pozitë në ranglistën botërore. Kështu në Lojëra Olimpike do të jetë bartësja e shtatë në kategorinë deri 57 kilogramë e jo bartësja e tetë. Dhe në bazë të analizave të bëra nga ekipi kosovar i xhudos, rruga drejt medaljes mund të jetë më e lehtë nga vendi i shtatë. Për  këtë edhe u bë sakrifica për të udhëtuar në Perunë e largët në mes të fazës përgatitore për Olimpiadë. Në renditje, Nora tani e kalon serben Marica Perishiq.

Nora është shpresë e madhe e Kosovës për medalje në “Parisi 2024”. Gara e xhudos në Lojëra Olimpike mbahet në fund të korrikut e fillim të gushtit.

Kampionia olimpike nga “Tokio 2020” ishte lënduar në Grand Slamin në Baku të Azerbajxhanit. Për shkak të një lëndimi muskulor nuk kishte mundur të paraqitet në finale. Fazën e rikuperimit e kishte të suksesshme.