Luftarake

Kryemjeshtri Kuka i pranishëm në takimin e ekspertëve të xhudos

Driton Kuka

Me përfundimin e Lojërave Olimpike që u organizuan në Paris këtë verë, një cikël olimpik ka përfunduar dhe një i ri ka nisur për Lojërat Olimpike që do të mbahen pas katër vjetësh në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Të mërkurën në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe u mbajt takimi i nivelit më të lartë të xhudos botërore. 

Ekspertë ndërkombëtarë u mblodhën në takimin tradicional për ta analizuar ciklin e kaluar olimpik dhe ndryshimet që duhet të bëhen për ciklin e ardhshëm olimpik. 

Në mesin e figurave profesionale të sportit të xhudos ishte edhe kryemjeshtri Driton Kuka. 

Kuka është ftuar nga Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer. 

“Me ftesë të Presidentit Vizer isha pjesë e diskutimeve për të ardhmen e xhudos drejt Lojërave Olimpike në ‘LA2028’. Diskutime të mira dhe të hapura prej njerëzve që vlerësohen në botën e xhudos!”, ka shkruar të mërkurën Kuka në Facebook. 

Kjo është hera e dytë që kryemjeshtri Kuka ftohet në takimin e nivelit më të lartë të IJF-së. 

Për herë të parë ishte ftuar në tetor të vitit 2021 në Olbia të Italisë. 

Kosova, falë punës së Kukës me nxënësit e tij, ka të fituara pesë medalje olimpike. 

Në “Rio 2016”, e artë olimpike ishte Majlinda Kelmendi. 

Në “Tokio 2020”, Kosova i fitoi dy medalje tjera të arta, me Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin. 

Ndërkohë, në “Parisi 2024”, Kosova fitoi dy medalje, një të argjendtë me Distria Krasniqin në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu e fitoi të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë. Në kryeqendrën franceze, Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë. 

Xhudistët e Kosovës kanë të fituara edhe shumë medalje në kampionate e botërore.