Luftarake

Kryemjeshtri Kuka ftohet në takimin e nivelit më të lartë të xhudos botërore

Driton Kuka

Në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, Driton Kuka është konfirmuar si njëri prej trajnerëve më të suksesshëm të xhudos në botë. Ai është prej më të vlerësuarve po ashtu. Madje edhe nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos dhe presidenti i saj, Marius Vizer. 

Vizeri njihet si mik i madh i Kosovës, ndërsa gjatë lojërave në Paris foli në superlativ për xhudon kosovare dhe trajnerin Driton Kuka.

Se Vizeri dhe IJF-ja e çmojnë kryemjeshtrin Kuka, dëshmon edhe ftesa e fundit që erdhi në Federatën e Xhudos së Kosovës.

Driton Kuka është ftuar nga Vizeri në takimin e nivelit më të lartë të xhudos botërore. Takimi do të mbahet më 15 tetor në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Bëhet fjalë për një takim tradicional, që organizohet nga IJF-ja pas çdo edicioni të Lojërave Olimpike. Gjatë takimit, figurat kryesore profesionale të sportit të xhudos analizojnë ciklin e kaluar olimpik dhe ndryshimet që duhet të bëhen për ciklin e ardhshëm olimpik, në këtë rast për “Los Angeles 2028”.

Në xhudo, si në disa sporte të tjera, gati rregullisht bëhen ndryshime të vogla në rregulla. Ndryshimet pritet të bëhen edhe për ciklin e ardhshëm olimpik. Kryemjeshtri Kuka gjatë viteve të fundit është ankuar shpesh për kapjet nën brez, që ndër të tjera kanë penalizuar xhudistët kosovarë. Ky rregull pritet të diskutohet gjatë takimit të 15 tetorit e po ashtu pritet të iniciohet ndryshimi i tij.

Por në agjendë do të ketë edhe shumë tema të tjera të rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të xhudos.

Ka kohë që xhudoja është lidere e sporteve luftarake sa i takon programit olimpik. Dhe rejtingu i xhudos sa shkon e rritet. Kjo vlerësohet meritë e madhe e Vizerit dhe mënyrës se si ai udhëheq me IJF-në.

“Sipas traditës, pas çdo edicioni të Lojërave Olimpike është koha për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos që të reflektojë, të analizojë dhe të diskutojë të gjitha aspektet e aktivitetit tonë, duke përfshirë referimin dhe synimin për të implementuar sa më shumë përmirësime që është e mundur.

Përpjekjet tona për të arritur përsosmërinë dhe pikën më të lartë si ekip profesionistësh nuk ndalen asnjëherë. Kam kënaqësinë t’ju ftoj në Takimin Teknik që do të mbahet më 15 tetor në Abu Dabi”, shkruan ndër të tjera në letrën e presidentit Vizer për kryemjeshtrin Kuka.

Është hera e dytë që trajneri kosovar ftohet në këtë takim të nivelit të lartë të IJF-së. Për herë të parë mori pjesë në takimin e mbajtur në tetor të vitit 2021 në Olbia të Italisë.

Tri vjet më parë, në takimin teknik ishin anëtarët e Bordit Ekzekutiv të IJF-së, udhëheqësi i Institutit të Xhudos ‘Kodokan’, kryetarja e komisionit të sportistëve dhe trajneri Kuka. “Kodokan” është institucioni japonez ku lindi xhudoja dhe vlerësohet objekti kryesor e këtij sporti në botë. Pra Kuka ishte pjesë e një grupi më se elitar, ndërsa përbërje e ngjashme pritet të jetë edhe në Abu Dabi pas një muaji.

Në Tokio, nxënësit e Driton Kukës i fituan dy medalje të arta olimpike. Dy medalje u fituan edhe në Paris. Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë.
Kuka si trajner tani i ka pesë medalje olimpike në tri Olimpiada. Me Majlinda Kelmendin e fitoi të artën në “Rio 2016”.  Me Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin fitoi të artat në “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021 për shkak të pandemisë. 

Lista e medaljeve në kampionate botërore e evropiane është shumë e gjatë. Dhe gjithë ky numër i medaljeve nga një vend i vogël e pa ndonjë traditë të madhe në xhudo, ka bërë që IJF-ja ta kërkojë mendimin e Kukës për çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e mëtejmë të xhudos.