Luftarake

Karateistët kosovarë presin të trajtohen të barabartë në Spanjë

Karate

Në mars të vitit të kaluar, karateistët e Kosovës mbetën jashtë Evropianit për seniorë të mbajtur në Guadalajara të Spanjës. Spanja nuk lejoi paraqitjen e karateistëve të Kosovës me simbole të shtetit.

Një tjetër ngjarje e madhe do të mbahet në Spanjë, përkatësisht në Pamplona. Nga 22 deri më 24 nëntor do të mbahet Kupa Botërore në konkurrencë ekipore.

Federata e Karatesë e Kosovës ka paraqitur ekipin për karateiste, ndërsa të mërkurën pritet ta paraqes edhe ekipin e karateistëve.

Në Federatën e Karatesë së Kosovës presin të mos përballen me diskriminim. Pra besojnë në pjesëmarrjen e ekipeve të Kosovës me simbole shtetërore, himn dhe flamur.

“Do të marrim pjesë me dy kategoritë dhe është lajm i mirë. Po shpresojmë dhe po besojmë që në Spanjë do të marrim pjesë me simbole shtetërore”, ka thënë sekretari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Nazmi Gashi, për KOHËN të dielën.

Ai insiston se Kosova do të lejohet të marrë pjesë me simbole në Spanjë.

“Kemi nisur më herët punën rreth paraqitjes në Spanjë me simbole. Nuk besoj se do të kemi ndonjë telashe. Kam folur pak edhe me kryetarin e federatës botërore dhe me atë të Spanjës dhe nuk ka pasur ndonjë indikacion se do të na hiqen simbolet. Dihet që kemi pasur probleme gjithmonë, por besoj qe kemi bërë një diplomaci të mirë sportive dhe kësaj radhe do ta kemi paraqitje me simbole”, është shprehur Gashi.

Kosova siguroi paraqitjen në Kupën e Botës në konkurrencë ekipore falë medaljes së bronztë të fituar nga karateistet në Kampionatin Botëror të karatesë, në konkurrencë ekipore. Botërori u zhvillua në tetor të vitit të kaluar në Budapest të Hungarisë, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës e siguroi vendin e tretë nëpërmjet repesazhit.

Ekipi i Kosovës drejt suksesit, të vlerësuar historik për sportin e karatesë, u udhëhoq nga kapitenia Fortesa Orana. Pjesë e ekipit ishin edhe Vlera Qerimi, Albulena Gërvalla dhe Hatigje Zejnullahu.

Për Kupën e Botës ka disa ndryshime në ekip. FKK-ja për garën në Pamplona ka paraqitur Oranën, Qerimin, Elmedina Istogun, Behije Mustafën dhe Diellza Sejdijajn.

“Pas suksesit në Botëror, uroj të arrijmë sukses edhe më të madh në Botërorin ekipor. Po përgatitemi maksimalisht për këtë ngjarje dhe uroj të paraqitemi si gjithë sportistët tjerë të botës, me simbolet tona shtetërore. Shpresoj ta arrijmë vendin e parë ose dytë pas vendit të tretë në Botëror.”, ka thënë Orana.

Krahas ekipit të karateisteve, Kosova do të marrë pjesë edhe me ekipin e karateistëve. Merr pjesë me ftesë.

“Me ekipin e femrave jemi kualifikuar si një prej katër ekipeve më të mira te botës në bazë të rezultateve. Edhe në bazë të rezultateve kemi marrë ftesë për pjesëmarrje me ekipin e meshkujve, pasi ekipi i meshkujve ka qenë i shtati në botë, i pesti në Evropë. Pra nuk kanë munguar edhe paraqitjet e mira te meshkujt. Rezultate presim edhe pse konkurrenca është shumë e fortë”, ka thënë Gashi.

Spanja ka diskriminuar edhe para vitit të kaluar karateistët kosovarë. Por nuk është shteti i vetëm që e ka bërë këtë. Diskriminimi i sportistëve bëhet nga disa prej shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.